I dënuari Besim Rexhepi bëhet pjesë e strukturave të PDK-së, synon t’i zë vendin Kadri Veselit

Besim Rexhepi nga Remniku i Vitisë, ka marrë para pak kohësh detyrë të re në PDK, duke u bërë pjesë e nëndegës në këtë fshat.

Por, ish-kandidati për asamblist në këtë komunë, ka histori disavjeçare të përballjes me drejtësinë.

Në vitin 2018 ai ishte dënuar nga gjykata me gjobë për veprën penale “Posedim i parave të falsifikuara”.

Ai thotë se kishte qëlluar aksidentalisht në një veturë ku kishte para të falsifikuara, porse ka paguar gjobën që i është shqiptuar, pasi e kishte pranuar fajin.

Pasi është kontaktuar fillimisht të premten në mëngjes nga KTV-ja, Rexhepi ka shkuar në Gjykatën e Vitisë, ku ka marrë një dokument me të cilin thotë se vërtetohet që nuk ka aktualisht asnjë problem me drejtësinë.

Rexhepi ka thënë se do ta vazhdojë aktivitetin e tij me PDK-në dhe se një ditë e ka synim t’ia zërë vendin Kadri Veselit.

Ditë më parë, i pari i PDK-së, Veseli, kishte thënë se të gjithë anëtarët në strukturat e PDK-së që kanë akuza për vepra korruptive do të shkarkohen.

Këtë veprim e ka mirëpritur edhe kryetari i degës së PDK-së në Viti, i cili ka thënë se nuk ka asnjë anëtar nga kjo komunë që ka të ngritur aktakuzë.

PDK-ja në qendër nuk ka qenë e qasshme të premten për të treguar se si do të veprojë me rastin e zyrtarit të saj të dënuar në Viti.

Pas deklaratës së Veselit, nga pozitat e tyre janë larguar ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, zv/ministri i Mbrojtjes, Agim Çeku, dhe këshilltari në kabinetin e kryeparlamenarit, Njazi Kryeziu./KTV

SHPËRNDAJE