I paraburgosuri që vdiq në QKUK – i akuzuar për abuzim seksual me të mitur

I paraburgosuri Martin Lekaj ka ndërruar jetë sot në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. 64 vjeçari nga Peja po mbahej në paraburgim që nga 13 shtatori i vitit të kaluar, dhe akuzohej për keqpërdorim seksual të personave nën moshën 16-vjeçare. Ndërkohë, në Shërbimin Korrektues kanë deklaruar se i ndjeri po vuante nga një sëmundje e rënde.

Një i paraburgosur ka ndërruar jetë sot në Klinikën Infektive të QKUK’së. Bëhet fjalë për 64-vjeçarin, Martin Lekaj nga Peja.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës, përmes një komunikate drejtuar mediave.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se, sot më 17 maj 2019, rreth orës 12:05, në Klinikën Infektive në SHSKUK, ka ndërruar jetë i paraburgosuri, me iniciale M. L, i lindur më 1955”, thuhet në komunikatë.

Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi ka thënë Gazetës Express se Lekaj po mbahej në Qendrën e Parburgimit që nga 13 shtatori i vitit të kaluar. Deklaron se që nga 31 dhjetori i 2018’ës, ishte i shtirë në Klinikën Infektive.

“I ndjeri ishte, Martin Lekaj. Në qendrën paraburgimit ishte nga dt 13.09.2018. Nga data: 31.12.2018, ishte i shtrirë në Klinike Infektive në SHSKUK”, ka thënë Gashi për Express.

Në SHKK kanë deklaruar se i paraburgosuri ishte i hospitalizuar dhe se po vuante nga një sëmundje e rëndë.

“I paraburgosuri, nga data, 31.12.2018 ishte i hospitalizuar në Kliniken Infektive të SHSKUK-së, dhe po vuante nga një sëmundje e rend. I njëjti akuzohej për Veprën Penale; Keqpërdorim seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Sipas ligjit, trupi i pajetë do të dërgohet për obduksion”, njofton SHKK’ja.

Gazeta Express ka raportuar javën e kaluar edhe për vdekjen e një të burgosuri tjetër. Martin Nikulaj po mbahej aty pothuajse qe dy vjet për një dhunim që ishte kryer në shkurt të 2017-s.

Lirimi i tij do të bëhej në nëntor të 2023-s, por ai nuk arriti ta priste atë ditë. 63-vjeçari nga Istogu ndërroi jetë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës. Në Shërbimin Korrektues kishin thënë se ai gjendej në trajtim që nga 29 marsi, dhe se vuante nga Anaurismae Aorta Abdominalis (AAA)./

Ndryshe, vetëm gjatë vitit të kaluar dy të burgosur kanë ndërruar jetë nëpër qelitë e tyre, sa ishin duke e vuajtur dënimin. Ndërsa, që nga viti 1999, nëpër burgjet e Kosovës kanë vdekur 58 persona.

Gazeta Express kishte raportuar në tetor të 2018-s se si një numër i madh i të burgosurve janë të sëmurë.

Sëmundjet kryesore nga të cilat vuanin të burgosurit ishin ato të zemrës, frymëmarrjes dhe lëkurës, derisa kishte edhe të burgosur që vuanin nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe infektive.

SHPËRNDAJE