IADK fillon ndërtimin e Qendrës moderne për trajnimin profesional në sektorin e përpunimit bujqësor

Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës, të hënën ka filluar ndërtimin e Qendrës moderne për trajnimin profesional në sektorin e përpunimit të produkteve bujqësore, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve, drejtori Ekzekutiv i IADK-së Zenel Bunjaku dhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri bënë përurimin e punimeve në ndërtimin e qendrës për trajnim profesional të kandidatëve në sektorin e përpunimit tё prodhimeve bujqësore.

Kryetari Komunës Tahiri dhe drejtori i IADK-së Bunjaku në fjalimet e tyre paraqitën rëndësinë që ka ky objekt, jo vetëm për qytetarët e Komunës së Vushtrrisë, por do të jetë një vlerë e shtuar për gjithë Kosovën. Kjo njësi përpunuse do të jetë objekti i parë në Kosovë me standarde të larta, që do të ofrojë mundësi që të rinjët, e në veçanti gratë të mund të trajnohen dhe aftësohen në sektorin e përpunimit tё prodhimeve bujqësor (fruta, perime, qumёsht, etj). IADK si qendër trajnuese dhe mbështetëse në sektorin e bujqësisë, falё kёsaj pёrkrahje nё ndёrtimin e kёtij objekti do të ofroj trajnime të certifikuara pёr kandidatёt qё kanё interes dhe nevojё pёr aftёsim profesional. Objekti me të gjithë infrastrukturën përcjellëse, përfshirë edhe inventarin dhe pajisjet tjera pёrcjellёse pritet që të përfundojë gjatё kёtij viti.

Ndërtimi i objektit-njësisë përpunuese me sipërfaqe prej 208 metër katror bëhet falë mbështetjes sё projektit “Përmirësimi i punësimit dhe mundësive për gjenerim të të ardhurave në zonat rurale të Kosovës”, i financuar nga donatori BfdW nga Gjermania dhe bashkёfinancuar nga Komuna e Vushtrrisё.

IADK ёshtё nё proces tё akreditimit dhe validimit tё programeve modulare nga Autoriteti Kombёtar i Kualaifikimeve (AKK), nё sektorin e pёrpunimit tё qumёshtit, dhe pёrpunimit tё frutave dhe perimeve, që do të jenë në shfrytëzim dhe përgatitje të të rinjve dhe grave për tregun e punës. /Veriu.info/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE