Isa Mustafa i largoi vijat e kuqe, nga PDK nuk e mohojnë koalicionin me LDK-në

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka konfirmuar largimin e vijave të kuqe për partinë që më parë ishte betuar se nuk bashkëpunon më, PDK-në.

Pas largimit të këtyre barrierave, koalicioni mes LDK-së dhe PDK-së mund të jetë i arritshëm. Nga partia e Kadri Veselit as nuk e kanë mohuar, por as pohuar, mundësinë që t’i bashkohet koalicionit qeverisë.

Anëtari i PDK-së, Xhavit Haliti, për GazetaBlic ka komentuar edhe largimin e vijave të kuqe nga LDK-ja.

“Nuk e di çka të them dhe s’mund të konfirmoj asgjë”, ka thënë ai, kur është pyetur sa a ka gjasa që PDK t’i bashkohet koalicionit qeverisës.

“Problemi i tij ka qenë që i ka hjek vijat e kuqe. Bashkimi në Qeveri mundet me qenë proces politik, proces i marrëveshjeve dhe një proces që duhet me pas pajtueshmëri të dyjat palët që kërkojnë komisionet të dyanshme politike, të cilët i bisedojnë këto detaje. Momenti për t’i hjek ato vijat e kuqe të deklaruara elektorale, mendoj që është mirë që e ka deklaruar atë, por s’ka ndonjë rëndësi për neve”, ka thënë Haliti.

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar për kp se vijat e kuqe ndaj PDK-së u hoqën për shkak të vështirësive për të bërë zgjidhje.

“Meqenëse nuk kemi biseduar nuk mund të them pranohet apo jo, por ajo çka unë kam thënë publikisht, është se vijat e kuqe ne të cilat i kemi vënë përpara ato vija të kuqe tani duhet t’i heqim edhe në situatën e tanishme por edhe kur të vijmë në zgjedhjet e ardhshme për arsye se shumë vështirë po mund të bëjmë zgjidhje, duke izoluar ose duke dhënë ndalesa të bashkëpunimit në disa subjekte politik, sidomos tani situata e cila u krijua para një kohe me paralajmërimin e aktakuzave kundër presidentit të vendit dhe kryetarit të PDK-së, na sjellë në një situatë të rëndë ku ne duhet më shumë të mendojmë për interesa të vendit sesa për të lidhemi vetëm për interesa partiake”, ka thënë ai.

Pas kësaj deklarate kanë reaguar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Arbërie Nagavci nga kjo parti ka thënë se pa Vetëvendosjen s’mund të zgjedhet presidenti.

“Ndërkohë ka thënë se duhet të hiqen vijat e kuqe për PDK, duke treguar se kah po shkojnë si parti. Mirë që edhe deklarativisht i kanë hequr vijat e kuqe, më e qartë për ndokënd që eventualisht akoma ka besuar në krerët e LDK-së. E vërteta është jo pa njërën nga këto parti, por vetëm pa VETËVENDOSJE! s’mund të zgjedhet Presidenti/ Presidentja dhe këtë e dinë mirë, ashtu sikurse e dinë që me LV! s’mund të bëjnë pazare”, ka shkruar Nagavci në rrjetin social Facebook.

SHPËRNDAJE