Islami: Jemi gati të shkruajmë historinë – por duhet të kemi shumë kujdes në ndeshjen e kthimit

Skuadra e Feronikelit dje ka arritur një barazim jashtëzakonisht të vleshëm ndaj ekipit nga Uellsi, TNS – në kuadër të sfidës së raundit të parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.

Lojtarët e Zekrija Ramadanit ishin duke humbur 2-0 deri në minutën e 89’të – mirëpo në minutat e fundit të duelit u aktivizuan djelmoshat nga Kosova, ku shënuan dy gola të shpejtë dhe evituan humbjen.

Mevlan Zeka në minutën e 89’të dhe Astrit Fazliu në minutën e 92’të realizuan golat për barazimin shumë të vleshëm të Feronikelit në garën më të madhe evropiane të futbollit.

Barazimi me golat dihet se është mjaft i mirë në terrenin si mysafir, për shkak të golave në udhëtim.

Mbrojtësi i Feronikelit, Përparim Islami ka theksuar se ndeshja ka qenë shumë e vështirë – mirëpo në fund kanë marrë një rezultat shumë të mirë.

“Sfida me TNS-në ka qenë shumë e vështirë duke pas parasysh që është një ekip shumë i fortë, që ka përvojë në ndeshje ndërkombëtare, por ne jemi të kënaqur shumë me barazimin e arritur (2-2). I falënderoj shokët e skuadrës që nuk u dorëzuan deri në përfundim të ndeshjes.”, tha fillimisht Islami.

Më pas, Islami potencoi se akoma nuk ka përfunduar asgjë dhe tani klubi ka mendjen tek ndeshja kthyese, ku synojnë fitoren dhe historinë.

“Jemi klubi i parë në futbollin e Kosovës që mund ta kalojmë këtë raund dhe ta shkruajmë historinë, por duhet ditur që ende s’ka përfunduar asgjë, duhet të kemi shumë kujdes në ndeshjen e kthimit, por rezultati është në favorin tonë – por duhet të kontrollojmë sfidën”, vazhdoi ai.

Në fund, super mbrojtësi i Feronikelit ka folur edhe për ndeshjen e kthimit që zhvillohet me 16 korrik në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë nga ora 20:45.

“Akoma nuk e kemi planin se si do t’i qasemi lojës , duhet të kthehemi në Kosovë, të pushojmë pak dhe pastaj të bëjmë analizën. Gjithmonë duhet pasur parasysh faktin se është një kundërshtar që mund të dënojë, andaj duhet të kemi kujdes”, përfundoi Islami.

SHPËRNDAJE