Ja çfarë thotë Ministri Shala, për pagat që nuk i mori kurrë Mjalinda Kelmendi

Dy ditë më parë, Driton Kuka, trajner i kampiones botërore në xhudo, Majlinda Kelmendi, ka reaguar në rrjetet sociale duke thënë se, që nga korriku i vitit të kaluar asnjë pagë nuk i është dhënë Majlindës.

“A kanë njohuri Institucionet e Shtetit që Kampiones Olimpike s’i ka dalë asnjë cent për pagat ndaj saj prej Korrik 2016! A keni njohuri që Federatën tonë dikush po e bllokon me financa prej Marsit 2017!?”, ka shkruar Kuka.

Këtyre pretendimeve u ishte përgjigjur ish-ministri i Kulturës, Kujtim Shala. Ai kishte thënë për Insajderin se të gjitha vendimet për Federatën e Xhudos i kishte nënshkruar, duke mohuar vonesat sa i përket tashmë ish-kabinetit të tij.

“Mund të them se unë kam nënshkruar çdo transfer që ka ardhur nga Departamenti i Sportit e që ka të bëjë me Federatën e Xhudos. Pra, sa i takon kabinetit dhe Ministrit nuk ka patur asnjë vonesë, në asnjë rast”, ka thënë ish-ministri Shala për Gazetën Insajderi.

Duke marrë parasysh se ish-ministri Shala ka lënë t kuptohet se vonesat kanë mundur të ndodhin diku tjetër brenda Ministrisë së Kulturës, Insajderi ka kërkuar sqarim nga kjo Ministri për pretendimet e trajnerit të Majlinda Kelmendit.

Deri më tani kjo Ministri nuk ka kthyer përgjigje për ta sqaruar situatën se pse kampionia botërore në xhudo nuk ka marrë asnjë pagë që nga korriku i vitit të kaluar.

Për më tepër, trajneri Kuka, i frustruar me gjendje, ka shkuar deri në atë masë, saqë ka thënë se asnjë politikanë tash e tutje nuk ka të drejtë ta publikojë asnjë fotografi të Majlinda Kelmendit pa marrë lejen e tij. Në të kundërtën, do t’i ndjekë rrugët ligjore për t’i paditur.

“Fotografitë që i postoni me Majlinden tash e tutje duhet me marr leje çdo politikan përndryshe Do kerkoj ndihmën nga njerëz të drejtësisë a kemi të drejtë me i padit e ndoshta në qat formë bajmë buxhet për aktivitetet tona!?”, ka shkruar Kuka në profilin e tij në Facebook.