Ja reagimi i Thaçit për gjeneralin që ka kryer krime në Kosovë e po ligjëron në Serbi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka “shpërthyer” me një varg reagimesh lidhur me lejimin që gjenerali serb i dalë në pension, Vladimir Lazareviq, i dënuar nga Tribunali i Hagës me 14 vite burg, për përgjegjësi komanduese për krime të luftës në Kosovë, së shpejti do të mund t’i bartë përvojat e tij të luftës tek kadetët që shkollohen në Akademinë Ushtarake në Serbi.

Thaçi ka deklaruar se nuk e paragjykon reagimin e BE-së dhe se me vëmendje e durim do të pres një të tillë. Por që sipas tij nuk e di çfarë ka më të shëmtuar se fakti që një i dënuar për krime lufte kundër njerëzimit, do ligjëroj në akademinë ushtarake të Serbisë.

Presidenti i vendit ka shtuar po ashtu se tani mbete të shihet se si do të përshpejtojë apo ngadalësojë një veprim i tillë anëtarësimin e Serbisë në BE.

Ky është postimi i plotë:

Nuk është çudi për askënd në Serbi, por do të duhej të ishte shqetësuese për çdokënd në BE-ne dhe shtetet anëtare të saj.

Nuk e paragjykoj reagimin e BE-së dhe me vëmendje dhe durim do ta pres një të tillë. Por nuk e di çfarë ka më të shëmtuar se fakti që një i dënuar për krime lufte kundër njerëzimit, do ligjëroj në akademinë ushtarake të Serbisë.

Ai do të ligjërojë me krenari për strategjitë dhe metodat moderne që regjimi i tij dhe vetë ai, ka përdorur gjatë shekullit të kaluar në përpjekjet e tyre për spastrim etnik në Kosovë.

Ai do t’i mësojë gjeneratat e ardhshme jo vetëm si t’i urrejnë popujt tjerë jo serbë në Ballkan, por si ta urrejnë edhe NATO-n dhe BE-në.

Pra, ligjëruesi do të kujdeset që dijen dhe përvojën e tij kriminale dhe gjenocidiale ta përçojë tek gjenerata e ardhshme.

Tani mbetet të shihet se si do ta përshpejtojë apo ngadalësojë një veprim i tillë anëtarësimin e Serbisë në BE! HTH

SHPËRNDAJE