Ja sa kohë pas mandatit do të marrin paga ministrat

Më së shumti ministri nga të gjitha qeveritë e pasluftës, numëron qeveria tashmë në dorëheqje e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Kabineti në largim, ka hiç më pak se 21 ministri, pesë zëvendëskryeministra dhe mbi 80 zëvendësministra, e që të gjithë këta zyrtarë, kanë të punësuar edhe numër të madh të këshilltarëve të tyre politikë, shoferë si dhe të punësuar të tjerë.

E njëjta qeveri që rriti numrin e ministrive, krijoi një projekt-ligj për Qeverinë, që synonte zvogëlimin e tyre, por Haradinaj dha dorëheqje dhe projekt-ligji mbeti vetëm në letër pa u proceduar.

Sipas Besnik Tahirit, kryesues i Komisionit për hartimin e projekt-ligjit për qeverinë, gjithçka është gati dhe vetëm duhet të procedohet për votim. Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë, se duhet të ketë vullnet politik nga ekzekutivi i ardhshëm, që ky projekt-ligj të miratohet.

“Ligji është i përfunduar, ligji është gati dhe procesi i punës është gjithçka e dokumentuar në raport. Është vetëm vullneti politik që ne e kemi pasur, dhe shpresoj në qoftë se vijmë ne e kalojmë shpejt, në qoftë se jo, është dikush tjetër, atëherë do të ketë vullnet të shtyhet përpara”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, i cili gjatë kësaj qeverisjeje, ishte edhe Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, projekt-ligji parasheh zvogëlimin e ministrive.

“Ajo që kemi është se kemi parë se diku 10 apo 11 ministri do të duhej të kishte secili shtet dhe pastaj mbi të, të ndërtohet në bazë të specifikave. Këtë e kemi bërë dhe kemi ardhur te numri 15 i ministrive, sikurse e kemi përcaktuar saktë, asnjë ministri nuk mund të ketë më shumë se dy zëvendësministra dhe njëkohësisht (qeveria) dy zëvendëskryeministra”, tha Tahiri.

adds image
Paga e kryeministrit të Kosovës, është 2,950 euro, ndërsa e zëvendëskryeministrit 2,500 euro. Ministrat në Kosovë marrin pagë 2 mijë euro, kurse një zëvendësministër paguhet 1,150 euro. Këto paga nuk përfshijnë edhe shpenzimet tjera siç janë; këshilltarët, veturat, shoferët, asistentët administrativë, shpenzimet e telefonit si dhe shumë shpenzime tjera.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile vlerësojnë se qeveria e ardhshme, duhet gjithsesi të zvogëlojë numrin e ministrive.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se ky projekt-ligj është mëse i nevojshëm për funksionimin normal të ekzekutivit.

“Faktikisht Qeveria Haradinaj ka qenë më e madhja prej të gjitha qeverive që i kemi pasur. Po shpresoj që Qeveria e radhës do të marrë hapa konkret që të mos lejojë që të kemi një kabinet kaq të madh dhe duhet të procedohet sa më shpejt me projekt-ligjin për Qeverinë. Çështja është se subjektet politike në masë të madhe edhe tash kanë kërkuar një projekt-ligj të tillë, mirëpo si duhet po sillen ndryshe kur subjektet vijnë në pushtet”, tha Murati.

Ministrat marrin rroga edhe pas përfundimit të mandatit për një vit.

Valmir Ismaili nga organizata Demokraci Plus, tha se Kosova nuk ka nevojë për më shumë se 12 deri në 15 ministri.

“Në fakt, Qeveria Haradinaj do të duhej që vetë të krijonte një shembull dhe të kishte një qeveri të vogël dhe pastaj ndoshta kjo do të duhej të ndryshohej me Kushtetutë, sepse përndryshe aktualisht nuk mund të rregullohet me ligj të veçantë. Assesi, do të thotë as Kushtetuta e asnjë ligj tjetër nuk e ndalon një qeveri që të jetë më e vogël në numër”, tha Ismaili.

Ministrat si dhe mbi 80 zëvendësministrat e Qeverisë Haradinaj, do të vazhdojnë të marrin 70% të pagës nga buxheti i shtetit edhe gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit.

SHPËRNDAJE