Java që përcakton fatin e Qeverisë Haradinaj

Nga 62 vota sa kishin arritur të siguroheshin për formimin e institucioneve, tani koalicioni qeverisës ka vetëm 53 të tilla.

Lista Serbe ishte ajo që braktisi koalicionin qeverisës pas arrestimit që iu bë shefit të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ani pse ky i fundit kishte hyrë në Kosovë pa leje të institucioneve të vendit

Pas daljes së Listës Serbe nga koalicioni, Qeveria e Kosovës nuk është më funksionale, madje është qeveri e pakicës.(Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje ⤵)

Mirëpo, ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në vend hyrja në mënyrë ilegale e Marko Gjuriqit në Kosovë, dëbimi i gjashtë shtetasve turq, shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe shefit të AKI-së, Driton Gashi nga njohës të çështjeve politike po shihen si çështje që kanë tensionuar vendin, madje thonë se kjo është java kyçe ku partitë politike do të vendosin se a do të shkojë vendi në zgjedhje apo jo.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, subjekt ky i cili vjen edhe ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, nuk e kanë pranuar shkarkimin e tij nga kryeministri i vendit Ramush Haradinaj.

Analisti politik, Ramush Tahiri ka thënë për “Arbresh.info” se duke e parë që kjo qeveri tashmë ka vetëm 53 vota atëherë është qeveri e pakicës dhe një qeveri e tillë nuk mund të zgjasë më shumë se 6 muaj apo një vit.

“Qeveria e pakicës zakonisht nuk zgjat më shumë se 6 muaj apo një vit varësisht prej projekteve që don mi kry dhe varësisht prej marrëveshjes që dojnë me i arrit dhe varësisht prej asaj se kur do të mirret vesh vendi me shku në zgjedhje të përgjithshme. Kjo qeveri është në krizë për shkak të numrave por edhe për shkak të shkarkimeve që kanë ndodhur ditëve të fundit ajo e ministrit të Punëve të Brendshme dhe shefit të AKI-së sepse nuk po e miratojnë partitë, njërën nuk po e miraton presidenti e tjetrën nuk po e miraton partia dhe tash kryeministri Ramush Haradinaj mbetet i pafuqishëm dhe unë mendoj që kjo javë është kyçe, pra unë mendoj që në këtë javë dihet a po shkon vendi në zgjedhje apo nuk po shkon në zgjedhje, pra deri në këtë të premte dihet gjithçka”, ka thënë ai.

Më 53 vota nuk ka qeveri stabile, thotë analisti tjetër Bajrush Morina. Sipas tij, këtë qeveri nuk dihet se a “e zë akshami dhe a e çel mëngjesi”.

“Kjo Qeveri është themeluar me shantazhe e kushtëzime dhe do të rrëzohet nga shantazhet dhe kushtëzimet. Si e tillë kjo Qeveri dhe ky koalicion nuk dihet se a “e nxen akshami dhe a e qel sabahu”. Kjo Qeveri edhe ashtu i ka votat e munguara pa Listën serbe prandaj është Qeveri e pakicës dhe Qeveri me “një këmbë të thyer”, ka deklaruar Morina.

Morina, thotë se kjo qeveri para se të rrëzohet duhet të dorëzohet.

“Me 53 vota nuk ka Qeveri stabile. Me 53 vota, prej 61 sa duhen është Qeveri e pavendosur që nuk mund të marrë asnjë vendim, është Qeveri kot së koti që do të shpenzojë kohë e buxhet të shtetit të Kosovës. Si e tillë ajo duhet të dorëzohet para se të rrëzohet”, ka thënë ai.

Kurse, politologu Gurakuç Kuçi ka pohuar se Qeveria ka qenë një ndërtim i brishtë qysh në fillim me themele prej hiri.

Sipas tij, vetëm ideja për krijimin e një qeverie të tillë është shumë përtej pretendimeve qeverisëse duke kaluar në psikozën e pushtetit.

“Aftësia e Kosovës për dialog përballë Serbisë është në regres dhe Kosova ka mbetur shumë prapa që të fusë interesat e saj në agjendat ndërkombëtare, dhe tani ka vetëm pësime qoftë në aspektin e jashtëm, ashtu edhe të brendshëm. Këtu edhe shfrytëzohet ky manovrim i Listës Serbe, dhe ky kaos sigurisht po sponsorizohet nga presidenti dhe po zbatohet nga klasa tjetër politike. Andaj edhe kjo qeveri po shkon me numërim mbrapsht dhe fundi i saj nuk është larg, dhe ose do kemi një qeveri teknike, apo zgjedhje fare te reja”, ka thënë ai.

Kurse, analisti Leon Duhanaj, ka deklaruar se nëse shikohen numrat e kësaj qeverie e që tashmë janë vetëm 53 atëherë mund të konsiderohet që kjo qeveri ka rënë.

“Nëse nisemi nga ekzistenca e numrave, qeveria tashmë veçse ka rënë. Por, në këtë situatë, nëse partitë politike, mendojnë vetëm si të shkojnë sa më parë në zgjedhje dhe ta kapin pushtetin, atëherë do ta vazhdojnë punën e nisur nga Vuçic, Erdogan bashkë me bashkëpunëtorët e tyre në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas tij, tashmë është koha kur partitë politike duhet të krijojnë unitet kombëtar dhe të deklarohen qartë në mbrojtje të institucioneve.

“Partitë politike shqiptare, duhet të ulën urgjentisht, të krijojnë unitet kombëtarë dhe të deklarohen çartë dhe hapur në mbrojtje të institucioneve. Kryeministri në këtë rast, duhet të trajtohet vetëm si një që ka qëlluar të përballët me këtë rast. Pra, dalja në mbrojtje të tij, është mbrojtje e institucioneve jo e individit”, ka deklaruar ai.

Me 9 prill bëhen shtatë muaj qëkur është formuar legjislatura e gjashtë e institucioneve të Kosovës, ku Ramush Haradinaj me 61 vota për dhe një abstenim ishte zgjedhur kryeministër i vendit.

SHPËRNDAJE