Ju jeni të lidhur me krimin – Kjo nuk është shpifje

Shkruan: Vehbi Kajtazi

Burgu mund të na pres shumë shpejt nëse shpifin për krerët e shtetit. Natyrisht kjo mund të ndodh shumë lehtë nëse votohen ndryshimet në Kodin Penal. Kjo madje është shumë lehtë e aplikueshme, duke e ditur se kush e kontrollon sistemin e drejtësisë. Megjithatë, nuk është fyerje e as shpifje, nëse themi se krerët e shtetit janë të lidhur me krimin.

Kosova është shtet që qeveriset nga njerëz kriminelë dhe të lidhur me krimin. Kjo nuk është shpifje e as fyerje për drejtuesit e shtetit.

Presidenti Hashim Thaçi ka përgjegjësi për shkatërrimin e vendit, ekonomisë, lirisë. Ka përgjegjësi për krimet më të rënda korruptive. Madje ka përgjegjësi edhe për vrasjen dhe zhdukjen e qindra njerëzve në periudhën e pasluftës – përfshirë vrasjen e kundërshtarëve politikë.

Në periudhën e pasluftës Thaçi ka drejtuar Qeverinë e Përkohshme. Brenda kësaj Qeverie ka pasur një shërbim sekret i quajtur Shërbimi Informativ i Kosovës. Mbi këtë shërbim janë hedhur dyshime se pos krimeve tjera, janë të përfshirë në vrasje, kidnapime njerëzish, zhvatje, etj. Për këto dyshime tashmë është themeluar dhe funksionalizuar Gjykata Speciale.

Nga qershori, deri në dhjetor të vitit 1999 në Kosovë janë vrarë mbi 450 njerëz. Mes tyre edhe Ibush Kllokoqi. Për vrasjen e tij janë të dënuar shtatë persona të cilët sipas aktgjykimit të formës së prerë janë drejtuar prej Azem Sylës.

Në kuadër të Qeverisë së Thaçit Syla ka shërbyer si ministër i mbrojtjes. Verën e vitit 1999, Syla me duart e veta ia kishte dhënë armën Scorpion, Fahredin Gashit, në oborrin e Ministrisë së Mbrojtjes në Prishtinë.

Grupi kriminal i drejtuar prej Azem Sylës, ministrit të Hashim Thaçit ishte nisur drejt shtëpisë së Ibush Klliokoqit. E kishin vrarë në oborr të shtëpisë, para syve të gruas së tij.

Objekti në të cilin ishte e vendosur Ministria e Mbrojtjes, më vonë u shndërrua në “Hotel Victory”. U mbajt i uzurpuar për më shumë se 15 vjet nga këshilltari i Thaçit, Bedri Selmanaj.

Në këtë hotel të uzurpuar janë mbajtur thuajse të gjitha aktivitetet e Partisë Demokratike të Kosovës.

U lirua vetëm kur këtë e urdhëroi Kadri Veseli. Deri atëherë Shteti ishte i pafuqishëm për ta bërë një gjë të tillë.

Zëvendës i Azem Sylës ishte Fatmir Limaj. Kishte autoritet të jashtëzakonshëm, saqë kishte lëshuar një vërtetim, një personi të quajtur Banush Bërbatovci se ai nuk ishte spiun. Ky vërtetim ia kishte shpëtuar jetën Bërbatovcit në momentin që ua kishte prezantuar grupit kriminal të Azem Sylës. Ai u la i lirë. Sot e asaj dite është gjallë.

Në përgjimet e publikuara vitin e kaluar u dëshmuar se si njerëzit e PDK-së, përfshirë Thaçin e Veselin qeverisnin në mënyrë të paligjshme. Adem Grabovci ishte koordinator i të gjitha këtyre veprimeve. Një hetim penal po kryen prokuroria kundër një grupi të madh zyrtarësh të PDK-së.

Thaçi si drejtues i PDK-së dhe i Qeverisë ka përgjegjësi për të gjitha këto.

Këto nuk janë shpifje e as fyerje.

Isa Mustafa është i korruptuar, ani se jo në përmasat e Hashim Thaçit. Ka qenë ministër i Financave në Qeverinë e Bujar Bukoshit. Fondet që ka menaxhuar ai, janë keqpërdorur vazhdimisht.

Vitin e kaluar Insajderi zbuloi një raport të Qendrës së Inteligjencës Financiare që dëshmonte se deri në vitin 2012 ishin tërhequr shuma të mëdha parash nga Fondi i 3 përqindëshit. Rreth 600 mijë euro ishin tërhequr deri në vitin 2012 nga ky fond. Anëtar Bordi i tij vazhdon të mbetet kryeministri Isa Mustafa.

Sa ishte në krye të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa lejoi shkatërrimin dhe degradimin e kryeqytetit. Inspektorët e tij lejonin ndërtimet pa leje. Posa hidheshin themelet e shtëpive, inspektorët shkonin dhe kërcënonin qytetarët me bager. Kur paguanin nga njëmijë deri në dhjetëmijë euro ryshfet, qytetarët kryenin ndërtimet pa asnjë pengesë. Natyrisht, pa leje.

Prej ardhjes në krye të Qeverisë, Isa Mustafa është treguar dorëlirë kur është fjala për dhënien e tenderëve për djemtë e tij, Besnikut dhe Arbenit. Ata morën kontrata të paligjshme nga Zyra në krye të së cilës është Isa Mustafa.

Isa Mustafa tregoi se nuk e duron mendimin ndryshe, e as mediat e lira. Ai kërcënoi gazetarë. Ofendoi shoqërinë civile dhe kundërshtarët politikë. Kërcënoi deputetët e partisë së tij në forma të ndryshme.

Këto fakte nuk janë shpifje, as fyerje për kryeministrin.

Zelli i tyre për të ndaluar raportime të tilla, tashmë po kthehet në një realitet penal. Kur Thaçi u bë president i vendit dhe mori kompetenca tjera siç janë iniciativat për hartime ligjesh, ndër veprimet e para ishte ndryshimi i Kodit Penal.

Grupi punues i caktuar prej tij, kriminalizoi fyerjen dhe shpifjen. Dënimet për “shpifësit” nga institucionit të presidentit janë të rënda. Ky dënim është i njëjtë me dënimin për shpërdorim të pozitës zyrtare, pra pesë vjet burgim.

Thaçi me pushtetin e tij së bashku me Qeverinë e Isa Mustafës dhe Kuvendin e Kadri Veselit, mund të bëjnë ligje që kujtdo që ua përmend të bëmat e tyre mund të përfundojnë në burg, ama realitetin nuk mund ta ndryshojnë.

Të tre janë përgjegjës për shumë të këqija që ka pësuar vendi dhe qytetarët e tij. Janë të lidhur me krimin.

Kjo nuk është shpifje, e as fyeje. /Insajderi.com

SHPËRNDAJE