Kadetët e FSK-së, të cilët diplomuan sot (Foto)

Sot u mbajt ceremonia e diplomimit të kadetëve të gjeneratës 2017 të Qendrës për Studime Universitare ku diplomuan nëntë kadetë, të cilët pas katër vite studime tani morën gradën e nëntogerit.

Kadetët e diplomuar janë: Gëzim Avdiu, Petrit Loxha, Uvejs Suma, Saranda Lutfiu, Bardhyl Dugolli, Vilson Musaj, Shkelzen Dragusha, Nazif Fazliu dhe Albion Svrkaj.

Por, përveç diplomimit dhe gradimit si nëntogerë, falë sistemit të vlerësimit të kadetëve që ka FSK gjatë periudhës së tyre katërvjeçare të studimit, ka përzgjedhur Vilson Musajn si kadetin më të mirë të gjeneratës.

Në një prononcim për Telegrafin, Musaj ka deklaruar se diplomimi nga QSU është ndjenjë e papërshkrueshme.

“Padyshim se është një ndjenjë e jashtëzakonshme. Gjatë katër viteve të studimit kemi kaluar nëpër sfida dhe mundime të ndryshme, por sot e realizuam qëllimin tonë. Nga sot jemi të gatshëm t’i marrim detyrat dhe përgjegjësitë e reja dhe gjithmonë do të jemi në shërbim të Atdheut dhe Forcës!”, tha Musaj.

Sa i përket çmimit të kadetit më të mirë të gjeneratës, Musaj thotë: “Çmimi i kadetit më të mirë të gjeneratës vetëm sa e ka bërë këtë ditë më të veçantë për mua sepse është vlerësuar puna dhe përkushtimi im gjatë këtyre katër viteve. Megjithatë, këtë çmim ua dedikoj të gjithë sakrifikuesve të lirisë dhe dëshiroj t’i falënderoj stafin e QSU-së, kolegët dhe familjen për mbështetjen e vazhdueshme.”

Vlen të ceket se në këtë ceremoni morën pjesë ministri në detyrë i FSK-së, Haki Demolli, Gjenerallejtënant Rrahman Rama, Gjeneral Enver Cikaqi, komandanti i KFOR-it gjeneralmajor Giovanni Fungo, drejtori i NALT-it gjeneral brigade Dietmar Mosman, zv. Drejtori i NALT-it Mark Theobalt, ambasadorë të ndryshëm.

SHPËRNDAJE