Kajtazi: Elez Blakaj nuk pati guxim ta hetojë Sami Lushtakun dhe komandatët e zonave

Kryeredaktori i Gazetës Online Insajderi, Vehbi Kajtazi, ka thënë se në procesin e listës së veteranëve ka krim të organizuar, për shkakun që sipas tij ka pasur një marrëveshje në mesë politikanëve që me qëllim të shtohet numri i pjestarëve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

Ai ka thënë se nuk ka kurrfarë dilemash se është rritur numri i veteranëve. Sipas tij, numri i veteranëve është trefishuar.

Ai ka kujtuar se, sipas një liste që ish-komandanti i UÇK’së, Agim Çeku, ia kishte dorëzuar KFOR’it, në shtator të vitit 1999, UÇK’ja kishte 17 mijë ushtarë, duke thënë se ai i beson vetëm kësaj liste.

“Unë i besoj listës së Agim Cekut në vitin 1999, që është thënë se janë rreth 17 mijë pjestarë të UCK-së. Gjatë kohës është rritur numri. Esenca e kësaj është që këtu ka krim të organizuar. Këtë nuk e ka hetuar as Blakaj e as ky prokurori pas tij. Kjo ka qenë një marrëveshje në mes politikanëve për rritjen e numrit. Kemi një ndërmarrje të përbashkët kriminale”, ka thënë Vehbi Kajtazi.

Kajtazi ka hedhur kritika ndaj Prokurorisë së Kosovës dhe organeve tjera, të cilët sipas tij nuk janë duke e mbrojtur ish prokurorin Elez Blakaj.

“Shteti nuk po e mbron zotërin Blakajn. Ai nuk e ka pasur personale me askënd dhe Prokuroria dhe shteti duhet ti mbrojë prokurorët e saj”, ka thënë Kajtazi.

Për kryeredaktorin e Insajderit, pikërisht Elez Blakaj ka qenë personi i cili e ka copëtuar hetimin e tij ndaj ‘veteranëve të rremë’. Madje, ai thotë se Elez Blakaj nuk ka pasur guxim që të hetojë komandanta si Sami Lushtaku.

“Unë kam vërejtje me punën e tij. Ai e ka copëtuar vetë këtë hetim, sepse ai nuk ka pas guxim për ta akuzuar Sami Lushtakun. Nuk ka pasur guxim me akuzu asnjë komandantë të asnjë zone, sepse komandatët e zonave kanë qenë përgjegjës për personat që janë futur jashtëligjshëm në ato lista”, ka thënë Vehbi Kajtazi.

Kajtazi ka shtuar se do të bëhet padrejtësi nëse disa persona do të dënohen nga kjo aktakuzë, e disa të tjerë do të mbesin të pafajshëm – kjo për faktin që ‘shteti nuk ka mundësi që t’i hëtojë përnjëherë 20 mijë persona’.

“Në momentin që Gjykata e vërteton për përfitim të të jashtëligjshëm. 20 mijë persona nuk mundet me i akuzu 20 mijë persona. Nuk është e drejtë me u akuzu disa e disa tjerë joo. Secili që kryen vepër penale duhet të akuzohet. Tani jemi në këtë situatë ku ka reagime. Dikush me të drejtë dhe dikush në mënyrë të padrejtë. Nuk duhet ta marrim emocionalisht këtë punë, sepse dikush është pasuru me këtë gjë. Madje, ka njerëz që janë pasuru shumë”, ka përfunduar Kajtazi.

SHPËRNDAJE