Kaq para fitoi shteti nga tatimet e moteleve brenda 3 viteve në vend!

Motelet i sjellin vendit miliona euro çdo vit. Madje, me kalimin e viteve, hapja e një moteli, është shndërruar në një prej bizneseve më fitimprurëse në vend. Në tri vitet e fundit, shteti ka mbledhur rreth 23 milionë euro nga tatimi që kanë paguar këto biznese.

Për të njëjtën periudhë kohore, Administrata Tatimore ka shqiptuar mbi 6 mijë gjoba për bizneset që kanë tentuar t’i ikin tatimit.

Dhomat e gjumit nëpër shtëpitë e tyre duket se u janë bërë të mërzitshme kosovarëve. Pavarësisht shpenzimeve, një pjesë të madhe të kohës ata po zgjedhin ta kalojnë duke “pushuar” nëpër motele e hotele.

Të tilla objekte akomoduese ka mjaftueshëm në vend. Ofertat e tyre për pushim fillojnë nga 5 euro e deri në 150 euro, varësisht nga kushtet.

E përderisa dikujt, shkuarja në të tilla vende i kushtoi me jetë, të tjerë po i fitojnë milionat prej tyre. Madje, në vitet e fundit, hapja e një moteli është kthyer në një prej bizneseve më fitimprurëse në vend.

Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve Kosovare (ARBK), në gjithë vendin aktualisht janë të regjistruara 149 motele dhe rreth 2 mijë hotele.

Qyeteti që prin me numër të këtyre bizneseve mbetet Ferizaj, pasuar nga Prishtina, Gjilani e Fushë Kosova.

Por, ndonëse në vend funksionojnë një numër kaq i madh biznesesh, jo të gjitha paguajnë tatim. Në raste të tilla, institucioni përgjegjës kujdeset që t’i ndëshkojë.

Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, vetëm gjatë vitit të kaluar kanë paguar tatim rreth 4 mijë motele e hotele.

Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa ka thënë se nga tatimi që kanë paguar këto biznese janë grumbulluar mbi 9 milionë euro.

E me kalimin e viteve duket se po rritet edhe fitimi i këtyre bizneseve. Për tri vite, janë grumbulluar rreth 23 milionë euro nga këto biznese.

“Vlen te theksohet se sektori i Akomodimit dhe Shërbimit Ushqimor përfshinë edhe biznese tjera, që nuk kanë të bëjnë vetëm me këtë kategori të bizneseve. Andaj, edhe të dhënat e paraqitura me lartë nuk paraqesin të dhënat vetëm për motelet”-ATK

Gjatë kësaj periudhe, Administrata Tatimore ka shqiptuar edhe gjoba për bizneset që kanë tentuar t’iu shmangen obligimeve.

Mbi 1 e 700 gjoba janë lëshuar vetëm gjatë vitit 2019, për motelet dhe hotelet që iu kanë shmangur tatimit.

Express ka kontaktuar disa motele (emrat e bizneseve nuk do të ceken në tekst), e të gjithë këta kanë treguar për mënyrën e veçantë si bëhet pagesa.

“Nuk ka nevojë për asnjë dokument identifikimi, ju mund të vini te ne kështu siç dakordohemi përmes telefonit, ju tregojmë dhomën në të cilën keni me pushu dhe ju shkoni drejt aty”, thotë njëri nga pronarët, duke treguar pastaj edhe për mënyrën e pagesës.

“Që me mbet gjithçka anonime, ju pasi që të hyni brenda, i futni paratë në një kuti të vogël e cila gjendet pranë derës së dhomës dhe pastaj ne vijmë i marrim. Kur të kryeni pushimin mund të largoni nuk ju vëren askush, as nuk kemi kamera as asgjë që mund të ju rrezikojë”, kishin deklaruar në një prej moteleve.

Për të parë se a mbajnë regjistra të njerëzve që hyjnë e dalin, Express ka kontaktuar disa motele të ndryshme, në rajone të ndryshme, e të gjithë këta janë përgjigjur njëjtë – nuk kanë as kamera e aq më pak regjistra.

Institucionet përgjegjëse as nuk kanë deklaruar se e kanë të detyruar motelet të mbajnë regjistër e edhe kamera jashtë objektit.

Ndërkohë, shkuarja në të tilla vende, disa prej kosovarëve u kushtoi me jetë.

Vetëm në dhjetë muajt e fundit, tre kosovarë të moshës së shtyrë kanë vdekur në motelet kosovare. Shkaktarët, zakonisht janë sulmet në zemër që kryesisht nxiten nga stimulantë të ndryshëm.

Viktima e fundit ishte më 8 janar të këtij viti. Bëhet fjalë për një person të moshës 72-vjeçare, i cili ndërroi jetë në njërin nga motelet në Gjilan.

Ai kishte shkuar aty me një grua. Ajo është kapur nga kamerat e motelit teksa ka dalë e vetme nga aty. Pas disa minutave personeli i motelit në fjalë kishin shkuar për të parë se çfarë kishte ndodhur me të. E kishin lajmëruar policinë dhe ekipet tjera të cilët e kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

Një ngjarje thuajse e ngjashme kishte ndodhur edhe gjatë muajit mars të vitit që shkoi. Por, këtë herë bëhejfjalë për një 74-vjeçar. Ai kishte qenë në njërin nga motelet e Gjilanit me një grua. Kishte qenë vetë shoqëruesja e 74-vjeçarit ajo e cila e kishte lajmëruar policinë për vdekjen e partnerit të saj.

“Raportohet se viktima mashkull K/Shqiptar ishte alivanosur. Në vendin ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipi mjekësor i cili e ka konstatuar se viktima kishte qenë pa shenja jete”, kishin deklaruar nga Policia e Kosovës

Edhe në Velani të Prishtinës në prillin e vitit 2018, një 70-vjeçar kishte ndërruar jetë në një dhomë hoteli. Ai kishte qenë aty me një femër, e cila ishte zhdukur pas vdekjes së tij.

Ndryshe, në bazë të Ligjit për Turizëm të Kosovës, moteli përkufizohet si objekt i destinuar kryesisht për pushim dhe ndalim të personave të motorizuar, për furnizim me ushqim, pije si dhe shërbime të tjera.

“Moteli – objekti i destinuar kryesisht për pushim dhe ndalim të personave të motorizuar, për furnizim me ushqim, pije si dhe shërbime tjera. Objektet ndërtohen jashtë qendrave të banuara, pranë rrugëve automobilistike dhe ofrojnë këto shërbime shtesë pos vendosjes”.

SHPËRNDAJE