Kaqusha Jashari flet për arritjen e marrëveshjes me GDP, tregon se nga radhët e cilës palë do të vije kryetari i partisë

Kryetarja e Partisë Social Demokrate, Kaqusha Jashari ka thënë se me 09.05.2018 do të mbahet Kuvendi zgjedhor i jashtëzakonshëm, ku do të vendosen strukturat e reja të partisë, pjesë e së cilës janë edhe GDP.

Jashari i tha “Gazeta Blic”, se kanë rënë dakord me Grupin e Deputeteve të Pavarur që kryetari të vije nga strukturat e GDP-së.

“Jemi marrë vesh që me 09.05.2018 që i bie të mërkurën e ardhshme, do ta mbajmë Kuvendin zgjedhor të jashtëzakonshëm, sepse, tani nuk e kemi radhën e Kuvendit pasi e kemi përfunduar. Mirëpo, tani, ne po e mbajmë Kuvendin e jashtëzakonshëm ku do të zgjidhen organet e reja, Kryesia e re, Këshilli Drejtues si dhe do të zgjidhet kryetari i ri”, ka deklaruar Jashari.(Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje të plotë)

“Ne jemi marrë vesh që në organet e reja të jem pjesë edhe ne, kurse jemi dakorduar që kryetari të jetë prej strukturës së tyre. Ne nuk do të kemi kandidat tonin për kryetar”, ka treguar Jashari.

Kryetarja e PSD-së ka folur për detajet se si është arritur marrëveshja dhe cilët do të jenë hapat që do të ndërmarrin më tutje.

“Ne kemi arritur marrëveshjen pasi kemi biseduar disa herë. Partia Social Demokrate vazhdon me PSD-në, do të thotë nuk shuhet, ata (Grupi i Deputetëve të Pavarur), na janë bashkuar neve. Jemi marrë vesh që duhet t’i freskojmë strukturat, sepse, nuk ka kuptim të vazhdojmë si kemi punuar, me këtë strukturë deri më tani”, është shprehur ajo.

Gjatë ditës së sotme, Grupi i Deputetëve të Pavarur, janë takuar me Partinë Socialdemokrate të Kaqusha Jasharit, ku është arritur marrëveshje mes dy palëve.

Lajmin e ka bërë të ditur kjo e fundit me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, të cilit i’a ka bashkëngjitur një fotografi ku shihet bashkë me Dardan Sejdiun dhe Dardan Molliqajn e GDP-së.

“Në kafe pas nënshkrimit të marrëveshjes mes PSD (partisë socialdemokrate) dhe GDP (grupi deputetve pavarur) për me vazhduar bashkë”, ka shkruar Jashari.

SHPËRNDAJE