Katalunasit pushtojnë Madridin, Barcelona vazhdon si e pamposhtur në La Liga (Video)

Barcelona ka arritur ta fitojë ‘El Clasico’-n numër 270 në histori të kësaj përballje.

Katalunasit kanë mposhtur si mysafir Real Madridin me rezultat të pastër 3-0 për të vazhduar si të pamposhtur në La Liga.

Vetëm pas tre minutave lojë, ‘Los Blancos’, gjetën golin e parë në këtë ndeshje me Cristiano Ronaldon, por që u anulua nga gjyqtarët për shkak të pozitës jashtë loje.

Kampionët e Evropës u treguan të rrezikshëm edhe në minutën e 10-të, kur Ronaldo nuk arriti të godiste mirë e topi që po shkonte në drejtim të Carvajal në fund e largoi Iniesta në këndore.

Kartoni i parë i verdh erdhi në minutën e 18-të për mbrojtësin belg Thomas Vermaelen i cili ndali Luka Modricin që ishte nisur në një kundërsulm të shpejtë.

Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi duke u përshëndetur para takimit (Foto /Getty Images)

Rasti i parë i rrezikshëm për kryesuesit e La Ligas erdhi nga Lionel Messi, kur u shërbye mirë nga Paulinho por u bllokua nga mbrojtja kundërshtare goditja e tij.

Pasi kaluan gjysmë ore lojë, Keylor Navas i vendasve bëri një ndërhyrje spektakolare pas goditjes së Paulinhos duke i mohuar golin brazilianit.

Vetëm një minutë më vonë, futbollisti më i mirë në botë për vitin që po lëmë pas, Cristiano Ronaldo depërtoi bukur në zonë dhe goditi fuqishëm, por Ter Stegen intervenoi në mënyrë fantastike duke mbetur rezultati 0-0.

(Foto /Getty Images)

Braziliani Paulinho u tregua edhe njëherë i rrezikshëm në minutën e 39-të kur goditi bukur me kokë por intervenoi edhe njëherë në mënyrë të mrekullueshme Keylor Navas.

Në aksionin vijues, Barcelona përsëri u tregua e rrezikshme kur një harkim të rrezikshëm nga Sergi Roberto e largoi Sergio Ramos.

Tre minuta para fundit të ndeshjes, një tjetër rast i rrezikshëm për madrilenët, kur pas harkimit të Marcelos, Benzema tentoi me kokë por për fat të mirë të mysafirëve topi goditi vetëm shtyllën pingule.

Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj super sfide.

Pjesa e dytë nisi në mënyrë të mrekullueshme për Barcelonën të cilët edhe gjetën golin e epërsisë.
Ivan Rakitic depërtoi mjaftë mirë në sulm duke shërbyer Sergi Roberton e ky i fundit asistoi për mrekulli tek Luis Suarez i cili shënoi për 0-1 në minutën e 54.

Luis Suarez duke festuar golin e parë në këtë sfidë (Foto/Getty Images)

Reali tentoi të kthehej në lojë por një gjëje të tillë nuk ia arritën.

Në minutën e 64-të, kur topi ishte duke shkuar drejt portës, Dani Carvajal i Real Madridit e ndali atë me dorë.

Gjyqtari akordoi penallti dhe e largoi nga ndeshja me karton të kuq reprezentuesin spanjoll.

I saktë nga pika e bardhë ishte Lionel Messi që shënoi golin e 25-të në histori të ‘El Clasico’-s, ndërsa të 15-tin këtë edicion në La Liga.

Festa e Lionel Messit pas golit të dytë të shënuar (Foto/Getty Images)

Gareth Bale i inkuadruar në pjesën e dytë pati një rast të mirë shënimi por Ter Stegen u tregua i zoti duke pritur goditjen e tij.

Në minutën e 80-të, Nelson Semedo depërtoi bukur në zonë duke goditur por që ishte i pasaktë.

Krejt në fund të ndeshjes, ishte zëvendësuesi Aleix Vidal që shënoi për rezultatin përfundimtar Real Madrid – Barcelona 0-3.

Pas kësaj fitore, Barcelona vazhdon të mbetet në krye të La Ligas me 45 pikë të grumbulluara 14 më shumë se Real Madridi në pozitën e katërt por që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Në ndeshjen e radhës Barcelona do të jetë nikoqire e Levantes në ‘Camp Nou’, ndërsa Real Madridi do të ketë një udhëtim të vështirë te Celta Vigo. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE