Kelmendi si Veseli: Taksa të pezullohet

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Ramiz Kelmendi përkrah idenë e kreut të Kuvendit, Kadri Veseli për pezullimin e taksës prej 100% për mallrat serbe dhe ato boshnjake.

Veseli ka kërkuar që taksa të pezullohet për 120 ditë, duke vendosur disa kushtet për Serbinë.

Kelmendi tha se është pro taksës, por që nëse ajo i prishë raportet miqësore me Amerikën, atëherë ajo duhet të pezullohet përkohësisht.

“Vendosjen e taksës ne të gjithë e kemi mbështetur dhe normalisht se gjithmonë do ta mbështesim si taksë. Nëse kjo taksë prishë raportet miqësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-së, pra ne kemi arritur në atë pikë që të gjitha kërkesat e BE-së po anashkalohen sikur mos të ishte fare BE-ja faktor këshillimi dhe mbështetje për Kosovën, pastaj ne kemi filluar mos ta anashkalojmë edhe kërkesat e ShBA-së pa marrë parasysh kemi të drejtë apo s’kemi të drejtë edhe pse e drejta është në anën tonë”.

Kelmendi tha se Kosova duhet t’i dëgjojë miqtë ndërkombëtarë edhe pse taksa ka qenë vendim i brendshëm dhe i pa ndikuar nga askush.

“Ne duhet ti dëgjojmë miqtë ndërkombëtarë, çdo Qeveri, sa herë dëshiron mundet ta pezullojë dhe sa herë dëshiron mundet ta rikthejë, për arsye se është vendim i brendshëm i Qeverisë dhe është vendim i pa ndikuar nga askush”, tha Kelmendi për EO.

Deputeti Ramiz Kelmendi, tha se me vendosjen e taksës dhe mospezullimin e saj, Kosova po ndëshkohet me mosliberalizimin e vizave si dhe po iu sjellë probleme liderëve kosovarë duke i penguar ata edhe në udhëtime zyrtare.

“Nëse dikush thotë i prishë raportet e dikush thotë nuk i prishë raportet, pra ne kemi mundësi vetëm me pritë raportin e këtyre e raporteve, kemi prishje të raporteve publike dhe prishje të raporteve në heshtje, pra mosdhënia e vizave pastaj ndalimi i të gjithë politikanëve që të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Sipas Kelmendit, Kosova duhet të jetë e kujdesshme, duke mos i prekur dhe cenuar interesat e ShBA-së.

“Është një masë politike e butë për shkak të opinionit rus të tregoj që edhe pse është kjo taksë, Shtetet e Bashkuara dhe Kosova i mbajnë raportet e tyre, mirëpo nëse ne e kalojmë kufirin siç kanë cek gjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur vijnë në pyetje interesat e ShBA-së, asnjë mik edhe Kosova të jetë, nuk mundet të ia cenojë interesat kombëtare të ShBA-së”.

Kelmendi foli edhe protestat e ish-punëtorë të kompanisë që udhëheq “Elkos Group”.
Ai u shpreh se kjo është çështje e memaxhmentit dhe se ka qenë e drejtë e punëtorëve të protestojnë për arsyet e tyre.

“Ato janë çështje jo politike, çështje të menaxhmentit, është e drejtë e tyre me protestuar dhe të kërkojë të drejtë”, u shpreh Kelmendi.

SHPËRNDAJE