Kërcënon Daçiq: Mashtroheni, Serbia nuk është e dobët, kurrë nuk do ta njohë Kosovën

Takimi në nivelin e lartë në Berlin në të cilin do të marrin pjesë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, nuk është vazhdim i dialogut Serbi- Kosovë, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

“Qëllimi i takimit është që të bisedohet për të gjitha problemet në Ballkan, që të mos vazhdojnë bisedimet Serbi- Kosovë. Kjo nuk është temë kryesore. Gjithsesi nuk do të pranojmë bisedime të reja në Bruksel derisa të mos hiqet taksa ndaj mallrave të Serbisë. Serbia është e vendosur në këtë çështje. Nëse dikush mendon se Serbia është e dobët, ai mashtrohet”, citon rtvkim të ketë thënë Daçiqi për rrjetin televiziv rus RT.

Ka shtuar se nuk është optimist sikur Thaçi se marrëveshja Serbi-Kosovë mund të arrihet përkundër vështirësive.

“Kur shqiptarët e Kosovës kërkojnë marrëveshje, ata mendojnë se ne duhet ta njohim pavarësinë e Kosovës. Nuk e pranojnë asnjë marrëveshje… Nuk ka dialog derisa të mos hiqet taksa. Prandaj s’e kam entuziazmin e Thaçit, një gjë është e sigurt – Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën… Jemi të gatshëm për marrëveshje, jemi të gatshëm për kompromis”, ka thënë ai.

I pyetur për Platformën e dialogut miratuar nga Kuvendi i Kosovës, ai është përgjigjur:

“Platforma e tyre flet për krimet serbe, se Serbia duhet ta paguajë dëmin e luftës. Marrë para sysh se Kosova është shtet i rremë, ata mendojnë se tashmë çdo gjë është përfunduar. Kur zgjohen nga mashtrimet e veta, duhet të ballafaqohen me realitetin e tmerrshëm – 13 shtete tashmë kanë tërhequr njohjen, kjo do të thotë se nuk e kanë shumicën për të hyrë në organizata ndërkombëtare dhe kurrfarë marrëveshjeje e vendimi nuk mund ta kenë pa Serbinë”, ka thënë shefi i diplomacisë serbe.

Ai është përgjigjur edhe në pyetjen rreth taksës që Kosova e ka vënë ndaj mallrave serbe:

“E vërteta është se nuk mund të ketë bisedime të reja derisa të mos hiqet taksa. Ku ka në botë taksë 100 për qind? Kjo është dëshmi se Kosova me ne nuk do bashkëpunim ekonomikisht. Po thonë se do ta heqin taksën kur Serbia ta njohë Kosovën. Kjo nuk do të ndodhë. Nëse nuk e heqin taksën, nuk do të ketë dialog të mëtejmë dhe ne do të vendosim masa kundër tyre”, është kërcënuar Daçiq.

SHPËRNDAJE