Kërkesa e Ramush Haradinajt për ndërkombëtarët, pas aksionit në zyret e OVL UÇK-së

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në OVL-UÇK, ku para pak minutash është arrestuar kreu i kësaj organizate, Hysni Gucati.

Haradinaj ka përsëritur edhe një herë si sipas tij publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe se do e dëmtojë më së shumti shtetin tonë, përfshirë edhe vet të akuzuarit.

Ai ka apeluar te organet e te organet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, që të respektojnë të drejtat e të gjithëve derisa ka thënë se asnjë i akuzuar nuk do t’i ik drejtësisë.

“E ritheksoj qëndrimin tim, se publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe se do e dëmtojë më së shumti shtetin tonë, përfshirë edhe vet të akuzuarit.

Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë është i gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë.

Apeloj te organet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, që të respektojnë të drejtat e të gjithëve. Asnjë i akuzuar nuk do t’i ik drejtësisë.

Konsideroj se nuk ka arsye për operacione e bastisje, sepse secili do t’i përgjigjet vullnetarisht drejtësisë.
Kosova është gjithmonë me ligjin dhe me viktimat, sepse vet ishte viktimë e padrejtësive. Vet UÇK-ja dhe populli i Kosovës kanë argumentuar se gjithmonë janë pozicionuar në anën e drejtësisë, të vërtetës, dhe të drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk ka ndryshuar asnjëherë!”, ka shkruar Haradinaj.

SHPËRNDAJE