Kërkohet arrest shtëpiak për mjekun që ndryshoi vitin e lindjes që të vazhdojë edhe me një vit punë

Prokuroria Themelore në Gjilan, sot ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ndaj të dyshuarit R.O., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Legalizim i përmbajtjes së rreme’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se, në kohë të pacaktuar, në Gjilan, i dyshuari R.O., edhe pse kishte arritur moshën e pensionimit, me qëllim që të vazhdonte edhe një vit punën si mjek në Spitalin Regjional në Gjilan, kishte nxjerrë certifikatën e lindjes, në Zyrën e Ofiqarisë në Gjilan, në të cilën kishte ndërhyrë duke e ndryshuar vitin e lindjes, ku të njëjtën pastaj e ka dorëzuar në Spital, me ç’rast ka vënë në lajthim administratën e Spitalit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

I njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale të lartshënuar, pasi që moshën e pensionimit e kishte arritur më 24 korrik 2016, mirëpo përkundër kësaj kishte vazhduar punën deri më 24 korrik 2017.

SHPËRNDAJE