Këshilltari i ministrit të arsimit nuk di as të flas

Në një tryezë të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, me temën “Ballafaqimi me të kaluarën në tekstet shkollore të historisë dhe të edukatës qytetare” mori pjesë edhe këshilltari i ministrit të Arsimit, Fatmir Bytyqi.

Bekim Blakaj, përfaqësues i këtij Fondi, tha se tekstet e historisë duhet të ndryshohen në mënyrë që nxënësit të informohen saktë.

Kompetenca për një gjë të tillë, marrë parasysh mangësitë evidente në metodën didaktiko-pedagogjike dhe në faktet e pasakta, është te Ministria e Arsimit. Ashtu siç është kompetencë e kësaj ministrie edhe përmirësimi i cilësisë së përgjithshme në arsim, marrë parasysh nivelin e tmerrshëm që u testua së fundmi edhe nga PISA.

Por, këshilltari i ministrit i cili po merrte pjesë në takim zoti Bytyqi, ishte jashtëzakonisht konfuz dhe nuk bëri të qartë se çka do të ndërmirrej në atë aspekt. Fjalitë e tij ishin të pastrukturara, dhe nuk përktheheshin në kuptime dhe mesazhe. Ai tha se “konfuzioni sa i përket librave të historisë ka ndikuar që librit shumë pak t’i besohet”. Se çka dëshiron të thotë ky pohim, është zor të kuptohet.

Se sa konfuz në të vërtetë ishte këshilltari i ministrit dëshmohet edhe nga këto tri fjali që nuk kanë asnjë kuptim: “Jemi para një situate kur vërtetë a mund ne tash komplet me fshi të kaluarën. Është jashtëzakonisht vështirë. Megjithatë puna që do të bëhet dhe uroj që të bëhet me këto libra, është një punë e mundimshme, sepse vështirë harrohet ajo.”

Mund të aludohet, meqë është shumë e zorshme të nxirren kuptime të qarta nga fjalët e këshilltarit të ministrit, se ai nuk beson që në tekstet mësimore ka vërtetë shtrembërime të mëdha dhe përdorim të një metode të papërshtatshme. Duket se ai beson që kërkohet ‘të fshihet komplet e kaluara’.

Paraqitja e këshilltarit të ministrit të arsimit në këtë tryezë dëshpëron shumë secilin që pret hapa vendimtar në përmirësimin e domosdoshëm të cilësisë në arsim në përgjithësi, dhe në tekstet mësimore në veçanti. Një konfuzion kaq i qartë në mendjet e njerëzve që e kanë në dorë fushën e arsimit, lë të kuptohet se asgjë e mirë nuk do të bëhet në fushën ku çalojmë më së shumti. Edhe nëse (ndonjë e mirë) bëhet, do të bëhet fare rastësisht e jo për shkak të ndonjë kursi të caktuar veprimesh të mirëmenduara.

SHPËRNDAJE