Kështu u festua Viti i Ri në veri të Kosovës

Jo si në të gjitha komunat e tjera, Viti i Ri e gjeti veriun e Kosovës shumë më ndryshe.

Atje, në vend të dekorimeve për festat e fundvitit, krejt çka mund të shiheshin ishin flamujt serbë të vendosur në çdo cep të qytetit.

Ani pse kjo komunë gjendet në territorin e Republikës së Kosovës, simbolet e vendosura nëpër ballkonet banesave kolektive dhe në sheshin kryesor, ‘Car Lazar’, nuk të jepnin ndjesinë e tillë.

Kjo pjesë e vendit, ka ditur shumë shpesh të jetë edhe vatër e problemeve ndëretnike mes serbëve dhe shqiptarëve.

Lajmi.net ka qëndruar në njërën nga ditët e fundvitit në veri të Mitrovicës.

Banorët shqiptarë, nuk flasin para kamerave. Ata frikësohen se mund të pësojnë nga komuniteti shumicë.

Frika e tyre nuk vjen vetëm nga ndonjë sulm fizik. Ata posedojnë edhe biznese, ekzistencën e të cilave e sigurojnë vetëm duke bashkëpunuar me serbët.

Prapa kamerave, thonë se frikësohen se një ditë prej ditësh, dikush mund t’ua prish ‘rehatinë’.

SHPËRNDAJE