Këta janë policët e Kosovës që dhanë jetën në krye të detyrës

Shumë policë dhanë jetën në krye të detyrës së tyre.
Paslufta në Kosovë njohu heronjtë tjerë të saj.

Një numër jo i vogël i policëve humbën jetën, e dy prej tyre ranë heroikisht në mbrojtje të rendit, ligjit dhe sovranitetit territorial.

Izet Demaj, ish-pjesëtar i UÇK-së në betejën e Koshares, e që paslufte shërbeu në Policinë e Kosovës, mbeti pa shenja jete sot gjatë një shkëmbimi të zjarrit me grabitësit në Istog.

I njëjti u qëllua me një breshëri plumbash në trupin e tij.

Për rastin reaguan krerët kryesorë institucional. Për Demajn, nuk u kursye epiteti i heroit të Kosovës.

“Kosova, fatkeqësisht, sot e humbi një polic të guximshëm në krye të detyrës”, shkroi presidenti Thaçi në Facebook.

Kosova me një hero tjetër të saj u njoftua edhe më 26 korrik të vitit 2011.

Polici, Enver Zymberi, më vonë i shpallur hero i Kosovës u qëllua nga një snajper serbë në veri të vendit.

Zymberi u qëllua në aksionin e Njësisë Speciale të Kosovës në pjesën veriore të vendit, i cili qëllim kishte heqjen e barrikadave të vendosura nga qytetarë serbë.

Pas së shtënës së parë, që rezultoi të jetë fatale për Zymberin, kishin pasuar edhe shkrepje tjera të mjetit të zjarrit në drejtim të Policisë së Kosovës, mirëpo fatmirësisht pa pasoja tjera.

Enver Zymberi, tashmë është shpallur hero i Kosovës.

Në detyrë kur humbën jetën ishin edhe dy policët tjerë, Armend Trena e Malsor Dashi.

Ata pas një aksidenti në magjistralen Kaçanik-Han i Elezit, ranë në lumin Lepenc, ndërkaq që pas disa ditësh kërkimesh u gjetën pa shenja jete.

Policia e Kosovës në raste të shumta është treguar e aftë të dalë në krye të detyrës.

Për këtë, ky institucion vlerësohet si njëri ndër më kredibilet nga qytetarët e vendit.

SHPËRNDAJE