Këto janë shtetet ku kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza

Një lajm shumë pozitiv për kosovarët ka ardhur të mërkurën nga Kuvendi i Kosovës, ku deputetët kanë ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi – duke përmbushur njërin prej kushteve kryesore të vëna nga Bashkimi Evropian, në shkëmbim të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Dhjetori mund të jetë muaji kur edhe përfundimisht kosovarët mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, sipas kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

“Në fund të këtij viti, nga mesi i dhjetorit, mendojmë që do të përfundojë çështja e udhëtimit të lirë të kosovarëve pa viza”, është shprehur Veseli në T7. Ai tha se këtë premtim e ka marrë nga përfaqësuesit e BE’së.(Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje ⤵)

Por, kush e përbën zonën Shengen? Në cilat shtete do të mund të lëvizin lirshëm kosovarët pas heqjes së vizave?

Zona Shengen tani mbulon 26 vende evropiane, 22 nga të cilat janë anëtare të BE-së dhe 4 jo-anëtarë: Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.

Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda nuk kanë dashur të pranojnë heqjen e plotë të kontrolleve kufitare në hyrje të vendeve të tyre, dhe kështu kanë hequr dorë përfundimisht nga zbatimi i marrëveshjes. Katër anëtaret e reja – Bullgaria, Rumania, Qipro dhe Kroacia – aktualisht nuk janë pjesë e zonës Shengen, por janë të detyruara t’i bashkohen zonës së Shengenit në të ardhmen.

Kjo do të thotë se kosovarët do të mund të lëvizin pa viza në këto shtete: Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Gjermani, Greqi, Hungari, Islandë, Itali, Letoni, Francë, Lihtenshtajn, Lituani, Luksemburg, Maltë, Holandë, Norvegji, Poloni, Portugali, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi, Zvicër.

Por, mbetet e paqartë nëse kosovarët do të mund të udhëtojnë në vendet si Spanja, që jo vetëm nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, por as nuk e kanë pranuar pasaportën e Kosovës.

SHPËRNDAJE