Kjo është gjendja e Minierës së Novobërdës ku humben jetën dy minatorë

Mëngjesi i së martës për dy minatorët e minierës së Novobërdës ishte tragjik.

Përderisa ata ishin duke kryere punën e tyre, humbën e jetën nën gërmadhat e kësaj miniere.

E gjithë kjo situatë kishte ardhur pas shembjes së një shkëmbi, shkruan Gazeta Infokus.

“Ata i ka zënë shkëmbi ende po mundohemi me i nxjerri. Prokurori është këtu dhe po bëhen hetimet. Në atë vendpunishte nuk ka qenë shumë rrezik. Kushtet nuk janë të mira”, ka thënë Kryetar i Sindikatës në Artanë dhe Kishnicë, Blerimi Ymeri.

Lexo edhe: Flet Kryeshefi i Trepçës për ngjarjën e rëndë në minierën e Novobërdës ku vdiqën dy persona
Por cila është gjendja e kësaj miniere?

Gazeta Infokus ka siguruar të dhëna nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale rreth gjendjes së Mineres së Novobërdës.

Sipas këtij Komisioni, minatorët në këtë minierë janë duke punuar me mjaftë vështirësi.

“Momentalisht shfrytëzimi është duke u bërë në mes të horizontit të 4 dhe 5, prodhimi është duke u zhvilluar më vështirësi dhe me kapacitet të vogël prodhimi”, ka bërë me dije Sali Mulaj, kryesues i Departamentit të Gjeologjisë në këtë komision.

Mulaj ka treguar për Gazetën Infokus se për funksionalizimin e plotë të kësaj miniere duhet shumë punë.

“Për riaktivizimin e kësaj miniere duhet të bëhet largimi i ujit, lidhja e minierës se Artanës me minierën e Kaltërinës e cila para lufte ka qenë në hulumtim dhe në fazën përgatitore dhe kalim të pjesshëm në shfrytëzim. Lidhja do të duhej bërë për mes të horizontit të 6 me hapje të korridorit për rreth 3 kilometra”, është shprehur Mulaj.

Miniera e Artanës është më e pasura sa i përket arit.

Llogaritet se në këtë minierë ka resurse të arit deri 3 mijë kilogramë.

“Ari i cili është i lidhur me mineralizimet dhe vendburimet e plumb-zinkut, në nivelin e matshëm paraqitet në minierën e Artanës, ku përmbajtja e arit është më e madhe dhe kjo minierë njihet si vendburimi me përbërjen më të lartë të arit në Kosovë. Resurset e arit në minierën e Artanës vlerësohen të jenë 2,700 kg”, thuhet në Strategjinë minerare të Kosovës.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE