Kjo është Shefkija, heroina e QKUK’së (FOTO)

“A nuk po ta mbushi synin?”, kjo është përgjigjja më e shpeshtë që Shefkija ua jep burrave që çuditen kur e shohin tek vozitë autoambulancën

Shefkije Koliqi është gruaja e vetme që vozitë autoambulancë në Kosovë. Deri para 6 muajsh ajo ka punuar si depoiste në Qendrën e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, shkruan Gazeta Shneta.

Duke parë që edhe gra të tjera vozitin veturat e Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera, ajo vendosi që në mundësinë e parë, të bëhet shofere e autoambulancës.

Shefkija thotë se nuk ka telashe aspak në komunikacion, veçse njerëzit – sidomos burrat, çuditen kur e shohin me timon në dorë.

“Po çuditën kur po më shohin, disave nuk po ua mbushi synin, thotë ajo, ishte një aksident te rruga ‘Agim Ramadani’ dhe kur shkuam, një polic tha: Ti po vozitë a? Thash a s’po ta mbushi synin a? Tha: Jo veç femen! Thash po edhe në polici vozitin femrat. Tha: Kur ka diçka rrezik ato dalin mbrapa”, rrëfen Koliqi.

Ajo e ka ekipin e saj dhe autoambulancën të cilën e vozitë dhe shumë shpejt dëshiron të bëhet edhe teknike dhe të asistojë në ndihmën e parë.

Shefkija tregon se nga QMU-ja e cila gjendet te Shkolla e Mjekësisë në Prishtinë, kishte arritur për 3 minuta te Xhamia e Llapit. Shumë shpesh thotë se mbërrijnë para Policisë në vendin e ngjarjes, ndonëse ata vet i thirrin.

Orari i saj është 12 orë dhe punon edhe gjatë ndërrimit të natës.

“Nganjëherë gjatë natës kurrë nuk hyjmë në qendër sepse gjatë gjithë kohës jemi në terren”, tregon ajo.

Shoferja e pëlqen punën e saj dhe nuk i duket e rëndë.

“Nuk po du me u livdu, veç unë voziti mirë”, thotë ajo dhe flet me pasion për veturën personale Audi A3: Loçkë e kam.

Duke qenë meraklie në vetura, Koliqi e ka marr lejen e vozitjes në vitin 1988. Ajo tregon se si familja kishte hezituar duke u shqetësuar se do të shkaktonte ndonjë aksident e do të binin në bela me ndokënd.

Shefkija konsideron se gratë janë më të kujdesshme në komunikacion dhe i inkurajon ato që të angazhohen me punë sikurse ajo.

“Taksistët vozitin më së keqi”, vlerëson shoferja me përvojë.

Ajo thotë se problemin më të madh në komunikacion e ka me shoferët që mbajnë dëgjuese në vesh e nuk e dëgjojnë alarmin e ambulancës.

SHPËRNDAJE