Kjo është zgjidhja e vetme drejt krijimit të institucioneve

Njohësi i çështjeve politike në vend Donika Sallova, ka komentuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Sipas Sallovës, PAN-i sot e pranoi publikisht që nuk i kanë votat për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

“PAN-i sot publikisht e pranoi që nuk i ka 61 vota për ta bërë Kadri Veselin krye parlamentar, i ka vetëm 60 vota dhe vota e 60 është ajo e Teuta I. Rugovës, dmth 40 shqiptarë, 10 serbë dhe 10 deputetë nga pakicat tjera kombëtare”, tha Sallova.

Analisti Sallova, konsideron se kërkesa e PAN-it që të shtyhet sërish kërkesa seanca konstituive, tregon se ata po mundohen me çdo kusht ta bëjnë edhe një deputet që të votohet Kadri Veseli për krye parlamentar.

“PAN-i kërkoi akoma kohë-bllokadë për ta marue edhe një depuet prej lloqi. Se deputeti i 60 dhe i 61 (eventual) të kësaj “shumice multietnike” janë deputet prej lloqi, nuk janë deputet prej vullnetit të sovranit. Të 60-in dhe të 61-in deputet popullin e ka votue duke qenë në tjetër kamp”, vlerësoi ai.

Më tej Sallova tha se është koha e fundit që LDK të reflektojë dhe kështu t’i hapen rrugët formimit të institucioneve të Kosovës.

“Prandaj, është momenti i fundit që të zhduket pengesa “Isë Mustafa dhe triumvirati i nënkryetarëve komunalë të LDK-së L. Haziri, A. Veliu, H. Rugova”, dhe t’i hapet rrugë krijimit të shumicës politike parlamentare shqiptare në Kuvendin e Kosovës (VV-LAA)”, u shpreh Sallova për Blic.

E nëse Teuta Rugova vërtetë do të shkojë më PAN-in, ajo do t’i shërbente bllokimit të ndërtimit të institucioneve, thotë analisti.

“Teuta Rugova nëse vërtetë shkoi me PAN-in për të zhbllokuar formimin e institucioneve, duhet ta dijë se tash e tutje duke qëndruar me PAN-in po i shërben bllokimit të ndërtimit të institucioneve. Ajo duhet të zgjedh në mes të qenit vota e 60 prej lloqit, apo vota e 61 e shumicës demokratike shqiptare. Rrugë tjetër nuk ka. Në fakt ka: rruga e fitores plebishitare të VV-së në zgjedhje të reja kurdo që do të mbaheshin”, përfundoi Sallova.

SHPËRNDAJE