Kllokoqi: Nëse nuk vazhdon ndihma e shtetit në paga dhe qira, shumë e vështirë rimëkëmbja e kafiterive dhe restoranteve

Mijëra kafiteri e restorante po bëhen gati që nga data 18 Maj të nisin shërbimin ‘take away’, e nga data 1 Qershor të nisi n hapjen graduale, pas 2 muaj mbyllje të plotë. Kjo mbyllje ka shkaktuar jo pak dëme në gastronomi, që sipas Petrit Kllokoqit, Kryetar i Shoqatës së Gastronomëve, përben 10 % të ekonomisë në nivel vendi, shkruan Reporteri.

Gastronomia është një prej sektorëve të ekonomisë që është zhvilluar dukshëm në vitet e fundit në Kosovë. Kafiteritë, restorantet, klubet e natës dhe hotelet përveç fitimit për vete, i kanë sjellë mjaftë para edhe shtetit, përmes tatimeve dhe natyrisht edhe hapjen e vendeve të punës.

Por, mbyllja për 2 muaj ka sjellë pasoja të mëdha. Për më tepër, nëse masat e hapjes shkojnë shumë ngadalë, atëherë rreziku do të jetë shumë i madh, që nëse nuk intervenon shteti me mbështetje, shumë nga këto biznese të mbyllen e shumë nga punëtorët e tyre, kryesisht kamarierët të mbesin pa punë.

Në një bisedë për Reporteri,. Kryetari i kësaj Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi ka folur për pasojat që po sjell mbyllja dhe nevoja për një mbështetje tjetër në javët e muajt në vazhdim.

Janë rreth 13 mijë të punësuar në rreth 3600 biznese të gastronomisë, të regjistruara në shoqatë, por ende asnjë, thotë Kllokoqi nuk ka lajmëruar për falimentim. Gjithsesi ai ka thënë se në analizat e para të tyre, dëmi është i madh nga mungesa e qarkullimit të parasë këta dy muaj.

Kllokoqi ka thënë se ata kanë qenë që nga fillimi përkrahës të çdo mase qeveritare, për të evituar përhapjen e virusit. Thekson se për ta nuk ka zgjidhje më të mirë, përveç hapjes totale, por thotë se ata do të respektojnë vetëm rekomandimet e shtetit. Megjithatë edhe në këtë pikë thotë se shteti duhet të ketë parasysh mbështetjen për ta, pasi paralajmëron dështim të shumë bizneseve në këtë fushë.

“Te kënaqur ne do të jemi kur të zhduket virusi zyrtarisht, pasi çdo masë dhe kufizim neve na rendon si biznes. Edhe klientët nuk do të jene si me parë me masa, por sido që të jetë, ne kemi qenë të gatshëm në çdo situatë që t’i pranojmë masat dhe mos të bëhemi burim i shpërndarjes së virusit dhe kemi përkrahur shtetin për çdo iniciativë, duke menduar që edhe shteti do të na përkrah neve në anën financiare, që së bashku ta kalojmë këtë krizë sa me parë.

Me 18 Maj do të fillojnë disa biznese “take away”, po ashtu nga data 1 Qershor rihapja komplet, por me masa të shtuara. Ky fillim është shumë i vështirë, po e përsëris shumë i vështirë. Ju e dini që hapja e lokalit i ka edhe shpenzimet fikse ku ato shpenzime janë te larta.

Nëse nuk vazhdon përkrahja e shtetit që të mbulohen 50% të shpenzimeve të qirasë dhe po ashtu të pagave të punëtorëve, dhe shtyrja e kthimit të kredive aktuale është totalisht e pamundur rimëkëmbja dhe hapja e lokaleve, dhe një numër i madh i bizneseve do të shkojnë në falimentim”, ka paralajmëruar Kllokoqi në një bisedë për Reporterin, teksa ka thënë se ende nuk ka të dhëna tek ta se ka nisur largimi i punëtorëve nga këto biznese, dhe thotë se po punojnë për një analizë më të thellë për të parë dëmin e shkaktuar.

Kllokoqi ka kritikuar mbështetjen e deritanishme të Qeverisë, në kuadër të Pakos Emergjente. Ai ka thënë se nuk ka qenë e menduar mirë.

“Pakoja Ekonomike ka qenë një përkrahje shumë e lehtë dhe jo e menduar mirë, pasi që shuma ka qenë shumë e vogël për paga. Unë mendoj në qoftë se shteti kish vendos për një pagë 300 euro neto, të gjitha këto prapë do ta rrisnin konsumin e brendshëm dhe përsëri ato mjete do të ktheheshin tek shteti dhe do të rritej qarkullimi i parasë.

Sa i përket ndihmave nga politikat komunale, mund të ju themi vetëm për komunën e Prishtinës, e cila ka reaguar menjëherë dhe brenda mundësive të veta na ka liruar nga taksa e shfrytëzimit të hapësirës publike, ku është një ndihmë shumë e madhe për bizneset”, ka deklaruar Kllokoqi.

Ai thotë se nga kjo nuk humbin vetëm rrejti i kafiterive e restoranteve, por do të kishte efekt domino edhe në biznese tjera furnizuese.

“Rritja e papunësisë do të jetë e madhe duke e ditur që në nivel vendi ka shumë punëtorë të pa regjistruar, qiramarrësit, bujqit, bizneset furnizuese. Pra do të ishte një humbje shumë – shumë e madhe për ekonominë e Kosovës”, përgjigjet në lidhje me pasojat anësore që mund të sjellë mbyllja e shumë prej kafiterive dhe restoranteve.

Sa i përket klubeve të natës, sallave të dasmave është thënë se ka gjasa që të mos hapen fare këtë vit. Një debat i madh po zhvillohet në veçanti për dasmat. Këngëtarët, që fitimin e kanë aty, theksojnë se do të ishte një dëm i madh për ta dhe ekonominë e vendit nëse qysh tash merret vendimi që ato të anulohen.

Petrit Kllokoqi është i mendimit se dëmi në ekonomi, nga mbyllja e lokaleve të natës dhe sallave të dasmave do të ishte shumë i madh.

“Kjo do të thotë që do të ketë përsëri një dem të madh ekonomik për vendin. Ju keni qenë dëshmitar verës se sa shumë frekuentohen klubet e natës dhe se çfarë atmosfere i sjellin vendit. Përsëri këtu bie niveli i konsumit, punëtorët duhet të largohen nga puna e shumë dame tjera ekonomike dhe po ashtu shume biznese ndërlidhëse dhe shërbime tjera që bashkëpunojnë dhe lidhen me klubet e natës dhe sallat e dasmave, nuk do të funksionojnë”, ka deklaruar Kllokoqi.

Në këtë bisedë për Reporterin ai ka folur edhe për kushtet që do të aplikojnë në rihapjen e lokaleve. Ai ka treguar opsionet që kanë propozuar një model austriak të hapjes se lokaleve. Në këtë pikë ai ka përmendur kriteret e menaxhimit të lokaleve në këtë kohë.

“Ne kemi apeluar në IKSHP që hapja të behet graduale dhe me disa kushte :

1) dezinfektim i rrënjësishëm

2) stafi të jenë të pajisur me dorëza dhe maska

3) të ketë dezinfektues në prani të çdo lokali

4) të mos kenë klientët qasje në shank

5) menytë të jenë një përdorimesh ose të dezinfektohen çdo herë

6) servisi ( pirunët, thikat, lugët, gotat ) mos të jenë të ekspozuara në tavolina, po të shërbehen bashkë me ushqimin ose pijet

7) distanca në mes të tavolinave të jetë 1,5 metër

8) menaxheri i lokalit duhet të mbaj rendin në lokal, në rast eskalimi të situatës, apo ndonjë dyshimi të ndryshëm të kontaktojë autoritetet përkatëse”, janë kushtet që pritet edhe të aplikohen nga data 1 Qershor.

Se situata në fushën e gastronomisë është e rëndë e kishin konfirmuar edhe hulumtime të bërë nga ekspertët e fushës.

76.2% e bizneseve në sektorin Gastronomisë në Kosovë do të detyrohen të shkojnë në falimentim nëse situata e krijuar nga pandemia e virusit COVID-19 do të vazhdoj tutje në tre muajt e ardhshëm.

Kjo e dhënë vjen pas rezultateve preliminare të hulumtimit të kryer nga Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL) në bashkëpunim me Shoqatën e Gastronomisë.

Drejtoresha e IETL, Besa Zogaj-Gashi, në bazë të hulumtimit, ka treguar se 76.2% të pronarëve të bizneseve në sektorin e gastronomisë në Kosovë nuk shpresojnë që do të kenë mundësi të mbijetojnë nga kriza e Koronavirusit, nëse kushtet ekzistuese vazhdojnë.

“Bazuar në të dhënat statistikore nga Rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve[1] për vitin 2018 në sektorin HoReCa (akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim) ishin të regjistruara 3,683 ndërmarrje, të shprehura në përqindje përbëjnë 10.40% të ekonomisë. Ndërsa sa i përket punësimit, sektori HoReCa sipas burimit të njëjtë në vitin 2018 kishte 13,955 numrin total të punësuarve, apo të shprehur në përqindje 7.8%”.

“Sipas hulumtimit pothuajse 97.6% e bizneseve të anketuara të këtij sektori, janë shumë të brengosur për shkak se janë detyruar të respektojnë masat emergjente të ndërmarra nga Qeveria për parandalimin e pandemisë së virusit COVID-19, duke mbyllur bizneset e tyre që nga data 13 Mars e këtij viti. Sipas sondazhit, pronarët e këtyre bizneseve kanë humbje të mëdha në baza ditore për shkak të: mos qarkullimit ditor, krizës së likuiditetit, etj”, thuhet në hulumtim.

Po nga rezultatet preliminare të këtij hulumtimi, e dhënë tjetër shqetësuese është se 55.4% e pronarëve të anketuar kanë deklaruar se janë detyruar t’i largojnë të gjithë punëtorët nga vendet e tyre të punës.

“Kjo është shumë shqetësuese, sepse do të rëndojë kushtet financiare të punëtorëve, të cilët edhe ashtu kishin pagë bruto më të ulët në mesatare, krahasuar me sektorët tjerë të ekonomisë, 254 Euro për vitin 2018”.

“Shqetësimet e pronarëve të bizneseve janë të mëdha për shkak të akumulimit të borxheve ndaj furnitorëve, duke krijuar një zinxhir detyrimesh ku 75.9% e të anketuarve janë deklaruar që nuk do të jenë në gjendje të paguajnë obligimet e tyre ndaj furnitorëve dhe të shlyejnë faturat e papaguara”.

“Shqetësimi tjetër i 88% e të anketuarve është vështirësia e tyre financiare për t’i paguar këstet mujore të obligimeve të tyre ndaj institucionet financiare”.

“83.1% e të anketuarve e kanë vlerësuar si të nevojshme, po ashtu u deklaruan se kanë aplikuar për ndonjë nga masat e “Pakos Emergjente Fiskale” nga Qeveria e Republikës së Kosovës që sado pak ta stabilizojnë gjendjen e tyre ekonomike aktuale”, paraqet hulumtimi i kryer nga Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL) në bashkëpunim me Shoqatën e Gastronomisë.