Klopp: Lojtarët e Liverpoolit mund edhe të kujdesen për fëmijët e mi

Trajneri Jurgen Klopp bëri shaka duke thënë se ai do t’i besonte lojtarëve të Liverpoolit edhe të kujdesen për fëmijët e tij, pasi skuadra e tij kaloi me 19 pikë epërsi në krye të Premierligës, pas fitores 2:0 kundër West Hamit.

Përkundër që e pati posedimin e topit në Stadiumin e Londrës, lideri i Premierligës nuk ishte në formën e vet më të mirë kundër West Hamit. Por, prapëseprapë lojtarët bënë mjaftueshëm për t’i mposhtur kundërshtarët që e rrezikojnë rënien nga liga.

Pas ndeshjes, Klopp tha se taktikat e mbrojtjes së West Hamit e bënë detyrën e Liverpoolit më të vështirë, mirëpo ai e lavdëroi aftësinë e skuadrës së tij për t’i marrë tre pikët e kësaj ndeshjeje.

“Nuk ishte një paraqitje brilante, kundër një skuadre që duket se është e pasigurt për momentin. Por, neve ata na i bënë detyrën mjaft të vështirë”, u shpreh Kloppi.

“Një element i rëndësishëm në futboll është kundërsulmimi i kundërsulmeve, por për këtë gjë ti ke nevojë që skuadra kundërshtare të ketë aksione dhe ta fitojë topin e ta përdorë hapësirën”.

“Ne nuk kishim problem me motivimin. E patëm të vështirë ta gjejmë ritmin dhe ta mbajmë atë dhe të qëndrojmë të përqendruar. Unë mendoj se ne ia dhamë atyre mundësitë më të mira”.

“Këtyre djemve do t’ia jepja edhe fëmijët e mi për t’u kujdesur për ta. U besoj atyre 100 për qind, por në këto situata ka gabime qesharake. S’ka të bëjë me motivimin. Thjesht duhet të qëndrojmë të motivuar vazhdimisht dhe kjo është e vështirë”. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE