KLSH: Birra “Peja” fshehu taksat, mbi 1.7 mln dollarë dëm shtetit

Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon se birra “Peja” ka mashtruar autoritetet doganore të Shqipërisë duke fshehur mbi 1.7 milion dollarë taksa.

Sipas KLSH, ngjarja ka ndodhur në vitin 2015, kur kompania përmes importuesit të saj në Shqipëri, subjektit “Kuinda”, ka manipuluar sasinë e prodhimit.

Legjislacioni tatimor në Shqipëri aplikon dy nivele akcizash për birrën. Për fabrikat, të cilat prodhojnë mbi 200 mijë hektolitra, akciza është 70 lekë për litër; ndërsa për ato me kapacitet nën 200 mijë hektolitra paguhet 36 lekë për litër, transmeton tch.

Ky diferencim është bërë për të mbrojtur prodhuesit vendas nga fabrikat e mëdha të importit. Sipas KLSH, në janar të 2015-s subjekti importues “Kuinda” ka deklaruar në doganë se prodhimi vjetor i birrës “Peja” është nën 200 mijë hektolitra.

Si rezultat, ajo ka futur në tregun shqiptar 5.5 milionë litra birrë për të cilat ka paguar akcizën e reduktuar prej 36 lekë. Por nga verifikimet e kryera nga dogana shqiptare në tetor të vitit 2015 rezulton se prodhuesi i birrës ka një prodhim vjetor më të madh se 200 mijë hektolitra dhe si rrjedhojë duhet të paguante akcizën 70 lekë për litër.

Sipas KLSH, dogana shqiptare ia ka rillogaritur akcizën birrës “Peja”, por vetëm për vitin 2015, ndërkohë që duhet ta bënte këtë edhe për sasitë që ajo ka futur në Shqipëri edhe në 2014-n dhe 2013-n.

Nga llogaritjet e KLSH del se së bashku me gjobat, evazioni i birrës “Peja” dhe importuesit të saj në Shqipëri për vitin 2013-2014 arrin në 195.5 milionë lekë, ose mbi 1.7 milion dollarë, para të cilat duhet të shkonin në arkën e shtetit.

SHPËRNDAJE