Koalicion përfundimisht drejt fundit? Zv/ministri i AAK-së godet rëndë Behxhet Pacollin

Zëvendës Ministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, iu përgjigj Zëvendës kryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, në vërejtjet e tij të djeshme për trasenë e projektit të autostradës Prishtinë- Gjilan.
Pacolli dje kritikoi projektin e qeverisë, pjesë e të cilës është edhe ai vetë.

Sipas Pacollit, traseja e autostradës, e cila fillon nga fshati Banullë i Lipjanit dhe përfundon në Gjilan, e privon Gollakun nga qasja në këtë rrugë.

Por Rexhep Kadriu një ditë më pas tha se qeveria do të vazhdojë punën e ndërtimit të autostradës me synimin që punimet për ndërtimin e saj të fillojnë muajin e ardhshëm. (Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje ⤵)

“Bisedat nëpër kafene te ne nuk do të ndikojnë. E kemi gjetë projektin në gjysmë, sepse vetëm projekti ka qenë i kompletuar, e jo edhe elaborate. Autostrada ka qenë e nevojshme, ka qenë kërkesë e bizneseve të Gjilanit”, tha Kadriu.

“Ministri Pal Lekaj e ka shtyrë përpara autostrada… Gjatë fushatës kemi pasur zëra që ‘po ndalet’; e ‘s’po ndalet’ është e rëndësishme që kjo punë po niset dhe po niset me një kosto më të lirë… ne e kursejmë buxhetin e Kosovës me 12 milionë euro”, shtoi ai

“Nuk do të merremi me fjale se kush çka thotë në qytet. Nëpërmjet Banullës, autostrada e Gjilanit lidhet me tri autostrada tjera. Me këtë variant kemi edhe shpronësime më pak”, u shpreh ai.

Por ai tha se qeveria do t’i qëndrojë projektit.

“Janë zëra dashakeqë që nuk ia duan të mirën Anamoravës… Jemi zotuar që politika t’i largojë duart nga punimet që do t’i bëjmë. Kjo ndoshta i pengon dikujt por s’kemi çka bëjmë. Dëshirat e tij (Pacollit) munden me qenë për me ndryshu traseja, por ne nuk mund të kthehemi në pikën zero dhe Anamorava të mbesë pa autostradë”, tha ai.

Gjatë ditës së djeshme, Pacolli tha se në kohën e qeverisjes 2011-2014, është paraparë zgjerimi i rrugës ekzistuese në katër korsi, nga Veterniku drejt Pallatit të Drejtësisë, në pjesën e majtë të Liqenit të Badovcit për të vazhduar nëpër Suteskë, Slivovë, Llabjan, Bresalc dhe në Gjilan.

“Qytetarët e asaj pjese duhet ta kenë këtë rrugë, që përveç se do tu shërbejë njerëzve që jetojnë atje, do jetë edhe nxitje e madhe e kthimit të popullatës, që tani janë duke u braktisur atë zonë”, tha Pacolli në Facebook.

Ndërtimi i kësaj rruge, sipas tij, ka qenë pjesë e një dakordimi edhe me kryeministrin kur është formuar qeveria e Kosovës.

“Për shkak të angazhimeve të mija jashtë vendit, fatkeqësisht është devijuar traseja krejtësisht në drejtim tjetër dhe Gollaku ka mbetur i privuar nga e drejta për të pasur qasje në infrastrukturë moderne rrugore”, tha ai.

“Shpresoj shumë që kryeministri do të ndërmarrë masa urgjente për evitimin e këtij dëmi që po i bëhet Gollakut por edhe buxhetit të Kosovës, duke pasur parasysh se rindërtimi i rrugës, në trasenë e lartpërmendur do të kushtonte shumë më lirë se sa andaj kah është planifikuar”, u shpreh Behgjet Pacolli.

SHPËRNDAJE