Komisioni Zgjedhor konfirmon fitoren e Erdoganit në referendum

Presidenti i Bordit të Lartë Zgjedhor në Turqi ka konfirmuar tashmë kalimin e referendumit për ndryshime kushtetuese, që do t’i zgjerojë kompetencat e presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Rezultatet jozyrtare kanë bërë të ditur se turqit kanë aprovuar ndryshimet në kushtetutën e tyre në referendumin e sotëm, duke i dhënë presidentit Recep Tayyip Erdogan kompetenca të reja gjithëpërfshirëse, ka thënë kreu i komisionit shtetëror turk të zgjedhjeve.

Në kampin pro ndryshime kanë qenë 1.25 milionë njerëz më shumë se në kampin kundër ndryshimeve – teksa 600.000 votat e mbetura pa u numëruar nuk do ta ndryshojnë rezultatin, ka thënë kreu i Bordit të Lartë Zgjedhor, Sadi Guven, në një konferencë për media në Ankara.

Ai ka thënë se Bordi ka vendosur t’i konsiderojë fletëvotimet e pavulosura si të vlefshme, përderisa nuk dëshmohet të ketë pasur manipulime, pas një numri të lartë të ankesave.

Opozita turke ka thënë se vendimi i minutës së fundit ngjallë dyshime për vlefshmërinë e votimit në referendum.

Por, Guven ka thënë se votimi është marrë para se rezultatet të futeshin në sistem.

Rezultatet zyrtare, sipas tij, priten pas 11 apo 12 ditësh.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE