Kompania kosovare i paguan vet subvencionet e qeverisë për punëtorët

Pronari i kompanisë vendore “Meka Halal Food”, Burim Piraj, ka shkruar se punëtorët do t’i subvencionojë pagat me buxhetin personal pasi, sipas tij, nuk duhet të ngarkohet shteti në këtë kohë të pafavorshme.

Vendimi i tij erdhi disa ditë pasi Qeveria e Kosovës doli me një varg masash për subvencionim të punëtorëve në Kosovë të prekur nga masat për luftimin e coronavirusit.

Piraj ka shkruar se ai ka 20 punëtorë që do t’i subvencionojë me një shumë mbi rrogën normale që e marrin ata.

“E përshëndes vendimin e qeverisë për miratimin “Pakos fiskale emergjente” mirëpo unë si drejtor i MEKA shpk ( MEKA HALAL FOOD ) edhe pse i kam 20 punëtorë në kategorinë e subvencionimit të pagave edhe pse punëtorët tanë e kanë pagën minimale 350 EURO e mesatarja diku afër 500 EURO, kam vendos që këto para të cilat punëtorëve tanë iu takojnë nga kjo pako, t’i paguaj nga buxheti personal në shenjë solidariteti me vendin tonë në këtë situatë jo të favorshme”, ka shkruar Piraj.

Kjo kompani kishte njoftuar në fillim të muajit se rroga minimale në këtë kompani do të jetë 350.

“Unë kam vendos që t’i përgjigjem thirrjes së kryeministrit Kurti që paga minimale të jetë 350 Euro neto në kompaninë time, pra sigurimi shëndetësor , sigurimi i pensioneve dhe dreka e punëtorëve do të mbulohet nga kompania jonë, duke respektuar orarin e punës 8 orë në ditë 40 orë në javë dhe 18 ditë pushim vjetor! Ky vendim hyn në fuqi menjëherë!”, thuhet në njoftimin e pronarit të kompanisë, Burim Piraj.

E njëjta kompani ka pasur pagën minimale 300 euro nga shkurti i i vitit 2019 si dhe ka dhënë pagën e 14 për punëtorët.

Ky vendim i kompanisë kishte ardhur një ditë pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, se paga minimale në Kosovë për sektorin privat të mos jetë më e vogël se 350 euro.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që një numër i konsideruar punëtorësh në sektore të ndryshme të subvencionohej për shkak të situatës së vështirësuar me COVID-19.

SHPËRNDAJE