Konjufca takon Lajçakun, i bën një kërkesë mjaft interesante!

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar sot homologun e tij sllovak, Miroslav Lajçak.

Konjufca thotë se i ka kërkuar që pesë vendet e Bashkimit Evropian, përfshirë edhe Sllovakinë, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta njohin.

“Sot kam zhvilluar një takim bilateral me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak. Takimi është zhvilluar në Pragë para Konferencës së vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor.

Ndër tjera e kam falënderuar ministrin Lajçak për mbështetjen që Sllovakia i ka dhënë procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe për qëndrimin mbështetës rreth procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Konjufca thotë se Sllovakia e mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE.

“Gjithashtu kam theksuar se është me rëndësi që pesë vendet e Bashkimit Evropian përfshirë Sllovakinë, të lëvizin drejt njohjes së Republikës së Kosovës. Nga ana tjetër Ministri i Jashtëm i Sllovakisë Lajçak ka theksuar se përkundër faktit që Sllovakia nuk e ka njohur Republikën e Kosovës, Qeveria e Sllovakisë e mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe liberalizimin e vizave”, ka shkruar Konjufca.

Konjufca me këtë rast ka thënë se Kosova është e gatshme për dialogun me Serbinë.

“Unë e kam theksuar në këtë takim se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i shmanget dialogut dhe është e gatshme për këtë. Në të njëjtën kohë unë kam bërë të ditur se Serbia e ka keqpërdorur dialogun në lobimin për çnjohjen e Republikës së Kosovës duke e paraqitur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve si dialog për statusin e Kosovës dhe kjo nuk duhet të lejohet më”, ka thënë Konjufca.

“Në fund të takimit i kam dorëzuar ministrit Lajçak një listë me rastet konkrete ku Serbia aplikon njëanshëm barriera jotarifore”.

SHPËRNDAJE