Kontesti kufitar Slloveni – Kroaci, a do të pranohet aktgjykimi i arbitrazhit

Sllovenia shumë intensivisht po përgatitet për zbatimin e aktgjykimit të arbitrazhit për kontestin e saj kufitar me Kroacinë dhe pret që “herët a vonë” edhe Kroacia do të detyrohet ta pranojë atë, ka thënë ministri i Brendshëm dhe nënkryetari i Qeverisë së Sllovenisë Karl Erjavec, transmeton Koha.net.

“Përgatitjet për implementimin e aktgjykimit të arbitrazhit po vazhdojnë dhe kemi përpunuar disa skenarë të mundshëm”, ka thënë Erjavec në bisedën për transmetuesin publik slloven RTV duke shtuar se në përgatitjet për zbatimin e aktgjykimit të arbitrazhit marrin pjesë disa ministri e bashkësi lokale që kufizohen me Kroacinë.

“Përgatitjet po bëhen në kuadër të grupimeve ndërresorialë, janë të gatshëm edhe organet tjerë shtetërorë dhe bashkësitë lokale. Mendoj se jemi të gatshëm për shpalljen e aktgjykimit dhe për zbatimin e tij”, citon jutarnji të ketë thënë Erjavec.

Edhe pse Kroacia është tërhequr nga procesi i arbitrazhit para dy vjetësh me vendim të Kuvendit e të Qeverisë me vlerësimin se ai “është i kompromentuar deri në deri fund”, Erjavec ka përsëritur qëndrimin e Lubjanës se marrëveshjen e arbitrazhit, të cilin dy vendet e kishin arritur në vitin 2009, është ende në fuqi për të dy palët.

“Ne do ta zbatojmë aktgjykimin e arbitrazhit ashtu që të mos ndodhin incidente. Jemi të sigurt se edhe Kroacia, herët a vonë” do ta zbatojë. Prandaj pres se nuk do të ketë tensione dhe incidente”, ka thënë Erjavec, përcjell Koha.net.

Kontesti kufitar ndërmjet Sllovenisë e Kroacisë po zgjat tash e 26 vjet, qëkur këtë dy vende u bënë të pavarura. Të dy vendet janë anëtarë të Bashkimit Europian.

SHPËRNDAJE