Kontrata sekrete: Këshillat e kompanisë amerikane i kushtojnë MPJ-së mbi gjysmë milioni euro

Ministria e Punëve të Jashtme thotë se një kontratë me një kompani amerikane është dokument i klasifikuar, ani pse Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se e njëjta është publike në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së. Shteti do të paguajë 540 mijë euro për këshilla ligjore dhe mbështetje për marrëdhëniet e Qeverisë dhe aktivitetet e komunikimit publik.

Më 1 shtator 2018, zëvendësministri i MPJ-së, Anton Berisha, ka nënshkruar kontratë mbi gjysmë milion euro me kompaninë amerikane “Pillsbury”.

Kjo kontratë e nënshkruar mes dy palëve, është bërë publike nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-s më 10 shtator të këtij viti, por MPJ i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë së ky është dokument i klasifikuar.

Ne këtë kontratë thuhet se do te merren këshilla ligjore dhe mbështetje për marrëdhëniet e Qeverisë dhe aktivitetet e komunikimit publik. Por, këto shërbime do t’i kryejë një kompani e nënkontraktuar “Chartwell Strategy Group”. Ndërsa “Pillsbury” do të bëjë strategji për implementimin e këtyre objektivave.

Gazeta JNK ka pyetur nënshkruesin e kësaj kontrate, Anton Berisha, i cili vjen nga AAK, se për çfarë shërbimesh specifikisht bëhet fjalë dhe se kush e ka negociuar këtë kontratë, si dhe i dedikohet e njëjta Qeverisë apo edhe Zyrës se Kryeministrit. Por, ai ka thënë se kontrata është sekrete.

“Ju i referoheni një dokumenti që është i klasifikuar dhe si i tillë ka kufizimet ligjore. Çdo zyrtar brenda qeverisë, por edhe persona të tjerë fizikë e juridikë që e trajtojnë përmbajtjen jashtë normave të parapara dhe në mënyre të paautorizuar do të bartin pasoja administrative dhe ligjore”, thuhet në përgjigjen e Agron Kacolit nga Zyra e Anton Berishës.

Por, kontratën që Berisha i referohet si sekrete, Gazeta Jeta në Kosovë e ka gjetur të publikuar në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së.

“Pillsbury Winthriop Shaw Pittman” dhe Ministria e Punëve të Jashtme kanë nënshkruar kontratë një vjeçare, e cila çdo muaj do t’i kushtojë Kosovës 45 mijë euro, që në total i bie 540 mijë euro.

Gazeta ka dërguar pyetje shtesë, se si mund të konsiderohet dokument i klasifikuar një kontratë e cila është publike dhe mbi çfarë kriteresh është klasifikuar e njëjta.

Anton Berisha, Zëvendës Ministër i MPJ-së. Foto: Facebook

“Pala tjetër ka të drejtën e publikimit, në kufizimet sipas kontratës”, thuhet në përgjigje.

Përgjigja e zyrës së Zëvendësministrit thotë se dokumenti është i klasifikuar si i tillë në përputhje me kompetencat që ka qeveria, por nuk jep përgjigje se si mund të klasifikohet si sekret një dokument i cili është publik.

Ligji për Klasifikimin e Informacioneve, në nenin 6 të tij përcakton katër nivele të klasifikimit: tepër sekret, sekret, konfidencial dhe i kufizuar. Por, Gazeta JnK nuk ka marrë përgjigje se në cilin nga këto nivele është i klasifikuar dokumenti në fjalë, e cila kontratë është publike.

Në kontratën e nënshkruar në Prishtinë, thirren në vendimin me numër 12/18 të Qeverisë, të datës 16.02.2018, por ky vendim nuk është publik në faqen e Qeverisë.

Gazeta ka pyetur edhe Zyrën e Kryeministrit nëse ekziston një vendim i tillë, por nuk ka marrë përgjigje.

Në faqen zyrtare të ZKM-së, në të cilën publikohen vendimet e Qeverisë, nuk ka vendim të kësaj date.

SHPËRNDAJE