Koronavirusi: BIK merr vendimin e radhës për hoxhallarët

Pas situatës së krijuar në vend nga përhapja e koronavirusit, Bashkësia Islame e Kosovës ka nxjerr një vendim, lidhur me kufomat e personave të infektuar me COVID-19

Përmes një postimi në faqen zyrtare, BIK’u ka njoftuar se me rastin e vdekjes së personit si pasojë e infektimit me koronavirus, nëse kufoma përgatitet në morgun e QKUK’së, atëherë ndalohet hapja e arkivolit.

“Në rastin e vdekjes së personit si pasojë e infektimit me koronavirus (konfirmuar nga IKSHPK’ja), nëse kufoma përgatitet, pastrohet dhe mbyllet hermetikisht në morgun e QKUK’së, atëherë ndalohet hapja e arkivolit dhe xhenazja do të varroset pa u pastruar nga autoriteti fetar, ndërsa Namazi i xhenazes do t’i falet pas varrosjes, duke respektuar distancën e duhur sociale në raport Imam-Xhemat”, thuhet në vendim.

Sipas këtij vendimi, me rastin e vdekjes së personit për të cilin dyshohet se ka qenë i infektuar me koronavirus, “të vdekurit do t’i derdhet vetëm uji nga sipër, pa e prekur me duar trupin e tij.

“Në rastin e vdekjes së personit për të cilin dyshojmë apo frikësohemi se mund të ketë qenë i infektuar me koronavirus, xhenazja do të pastrohet në atë mënyrë që të vdekurit do t’i derdhet vetëm uji sipër, pa e prekur me duar trupin e tij”, thuhet tutje në vendim.

Në rastet e tjera, BIK’u u bën thirrje imamëve dhe qytetarëve që t’i respektojnë udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

SHPËRNDAJE