Koronavirusi – Ministri Bislimi paralajmëron masa të reja

Ministria e Financave dhe Transfereve, përmes një komunikate për media, ka dhënë detaje në lidhje me shëndetin e ekonomisë, masave të ndërmarra dhe atyre që mendohet të ndërmerren.

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Financave e Transfereve ka përcjelle në detaje të gjitha këto ndikime si në shëndetin e ekonomisë, ashtu edhe në atë të mirëqenies së qytetarëve, por edhe qëndrueshmërinë e vetë buxhetit të shtetit. Ngjashëm edhe me vendet tjera, reagimi i qeverisë i ndjekë tri faza.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të vendit,

Qeveria e Kosovës ka vërë në dispozicion të gjitha potencialet e saj në përballjen me pandeminë COVID 19. Duke qenë se njohuria kolektive për virusin Corona është në krijim e sipër, edhe qeveria e Kosovës po detyrohet që në masë të madhe të ndjek veprimet e vendeve tjera, me të vetmin synim, që të mbajë nën kontroll përhapjen e infeksionit. Si rezultat, ne kemi mbyllur çerdhet, shkollat e universitetet ende pa u paraqitur as edhe një rast i vetëm me infeksion. Poashtu në vazhdimësi janë marrë masa të kufizimit të veprimit në mënyrë që të mund të respektohet nevoja e mbajtjes së distancës fizike, dhe poashtu qytetarët janë lutur në vazhdimësi që të qëndrojnë brenda shtëpive e banesave të tyre. Falë këtyre vendimeve dhe respektimit të tyre, ne kemi arritur në masë të madhe të mbrojmë shëndetin e qytetarëve tanë, e parasë gjithash të të moshuarve brenda nesh.

Por natyrisht se gjithë kufizimet e vendosura nga ana e qeverisë e kanë lënduar shëndetin e ekonomisë. Qeveria e Republikës së Kosovës është e vetëdijshme për këtë.

Mbajtja e prindërve nëpër shtëpi; kërkesa që ndërmarrjet private të lejojnë qëndrimin në shtëpi të personave të moshuar dhe atyre me sëmundje kronike; kufizimet në transportin urban dhe ndër-urban; kërkesat për mbyllje të shumë aktiviteteve ekonomike; ndalesat për organizim të çfarëdo ceremonie apo grumbullimi tjetër të individëve; ka goditur një sërë sektorësh të ekonomisë, e pastaj brenda sektorëve, ndërmarrësit janë dëmtuar me intensitet të ndryshëm.

Rënia e vëllimit të prodhimit apo ofrimit të shërbimeve qoftë për shkak të kërkesave për zvogëlim të numrit të punëtorëve që shkojnë në punë, qoftë për shkak të kufizimeve në ushtrimin e aktivitetit ekonomik, ka ndikuar në uljen e të hyrave të ndërmarrësve dhe rrjedhimisht ka vështirësuar edhe aftësinë e tyre për të mbuluar shpenzimet e zakonshme.

Ndërmarrjet publike që ofrojnë shërbime bazë publike si uji, mbledhja e bërllogut, ngrohja e të ngjashme poashtu po ballafaqohen më rënie të inkasimit si pasoje e kufizimeve në lëvizje të qytetarëve.

Dhe krejt në fund edhe përfituesit e skemave sociale me shumë vështirësi po përballojnë koston e shtuar në kontekst të limitimeve si rezultat edhe i lëvizjes manipulative të çmimeve nga ana e një numri të vogël të bizneseve të pandërgjegjshme.

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Financave e Transfereve ka përcjelle në detaje të gjitha këto ndikime si në shëndetin e ekonomisë, ashtu edhe në atë të mirëqenies së qytetarëve, por edhe qëndrueshmërinë e vetë buxhetit të shtetit.

Ngjashëm edhe me vendet tjera, reagimi i qeverisë i ndjekë tri faza:

1. Në fazën fillestare, qeveria, përmes Ministrisë së Financave dhe Transfereve, është kujdesur që të vihen në dispozicion mjete të mjaftueshme buxhetore për përballjen me koston direkte të luftimit të infeksionit.

Në këtë kontekst është ndarë një shumë prej 10 milionë euro për mbulimin e kostos emergjente.

Me Bankën Botërore është duke u negociuar edhe një financim shtesë në masën e 7 milionë eurove në rast të pamjaftueshmërisë së fondeve, dhe poashtu është bërë kërkesa për zgjatjen e kontratës së një projekti ekzistues të shëndetësisë, me të cilën do mundësohej ri-alokimi drejt nevojave emergjente e një shumë prej 3.2 milionë ende të pa-disbursuar të kredisë.

Nisur nga konstatimi se shtresat më të varfëra të shoqërisë do përballen me shpenzime shtesë, është vendosur që ndihma sociale dhe pensionet të alokohen dukshëm para afatit të rregullt kohor, dhe njëkohësisht është transferuar edhe një ndihmë mujore shtesë.

Për t’i ardhur në ndihmë bizneseve që kalojnë nëpër vështirësi me likuiditet, është marrë vendimi për shtyrjen deri në fund të muajit prill e të gjitha obligimeve tatimore.

Në marrëveshje me sistemin bankar është dakorduar që bizneseve dhe qytetarëve të goditur nga situate e tanishme dhe masat e qeverisë t’i mundësohet shtyrja e shlyerjes së kësteve mujore të kredisë pa aplikim të kamatë-vonesave dhe pa implikime për vlerësimin kreditor të huamarrësve.

Është larguar tarifa për import të lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, dhe është nënshkruar vendimi që liron grurin dhe miellin nga tarifat doganore dhe TVSH.

2. Të vetëdijshëm që kjo nuk mjafton, Qeveria përmes Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe në bashkëpunim me ministritë tjera e sidomos me përfaqësuesit e pothuaj të gjitha odave e klubeve ekonomike në vend është në proces të përpilimit të një pakoje emergjente që fokus ka trinomin: qytetari, punëmarrësi dhe punëdhënësi.

Secila nga këto kategori është goditur dhe secila ka nevojë për mbështetje. Natyrisht se për të gjithë të involvuarit në këtë proces të draftimit të pakos emergjente fiskale, dy gjëra janë të ditura:

A) Shëndeti i buxhetit të shtetit është goditur rëndë nga qeveritë paraprake, dhe kapaciteti intervenues i vendit është shumë i kufizuar (deri diku edhe falë masave për shtyrjen e obligimeve tatimore, por edhe problemeve me gjendjen në llogaritë qeveritare.

Dhe B) Nga kjo krizë, niveli i mirëqenies do shënojë rënie si në Kosovë ashtu edhe në nivel global, rrjedhimisht intervenimi i qeverisë nuk mund të synojë kompensimin e dëmeve por vetëm të sigurojë që në fund, humbjet të jenë minimale dhe të shpërndara sa më drejt mes gjithë nesh.

Masat që do ndërmerren në këtë kontekst synojnë mbrojtje shtesë për shtresat më të lëndueshme të shoqërisë; likuiditet shtesë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që janë goditur nga situata, ndihmesë për ndërmarrjet në vështirësi për të mbuluar koston e qerase dhe një pjese të kompensimit për paga për kompanitë që janë detyruar të mbyllen nga vendimet imponuese të Qeverisë.

3. Me shpresë që kjo periudhë e kufizimeve të mëdha në liri të lëvizjes dhe në ushtrim të aktivitetit ekonomik do të përfundojë relativisht shpejtë, Qeveria poashtu në bashkëpunim me partnerët që përfaqësojnë edhe biznesin, është zotuat në përpilimin e një plani për intervenim fiskal në mënyrë që ekonomia e vendit të ringjallet sa më shpejt.

Për Qeverinë nuk ka asnjë dyshim qe shëndeti i sektorit privat është parakusht për shëndetin e financave publike.

Përmes këtij plani do të synohet pajisja e tregut financiar me likuiditet të mjaftueshëm dhe poashtu insentiva të politikave monetarë për bizneset që situatën e ndërlikuar të këtyre javëve e shndërrojnë në sfidë për shtim të kapaciteteve prodhuese apo hyrje në tregje e produkte të reja.

Masat që mendohet të ndërmerren do të targetojnë sektorë të caktuar, dhe brenda sektorëve kryesisht bizneset që janë të formalizuara dhe garantojnë ruajtjen e fuqisë punëtore të tyre.

Krejt në fund, këto dhjetë ditët e fundit kanë prodhuar shumë vështirësi për shumicën prej nesh. Por në të njëjtën kohë kanë prodhuar edhe shumë konfuzion dhe poashtu tepricë të ideve e recetave për dalje nga situata.

Nuk ka program intervenimi që nuk është sugjeruar edhe publikisht (në shumicën e rasteve me qëllim të mirë), por secili prej tyre pa asnjë kostim as edhe bazik, pa ndërlidhje me kompleksitetin makroekonomik dhe pa korrelacion me kapacitetin fiskal të vendit.

Poashtu është rekomanduar në vazhdimësi edhe hyrja në kredi në masën e qindra miliona eurove, edhe atë pa bërë as përpjekjen minimale për kuantifikimin e kostos së bizneseve nga masat kufizuese të qeverisë, pa pasë njohuri të mjaftueshme për specifikat e qasjes së vendit tonë në tregun ndërkombëtarë të kapitalit dhe pa njohur kufizimet ligjore në këtë drejtim.

Qëllimi ynë është që të implementohen masat që janë të përballueshme për ekonominë në afat të mesëm dhe të gjatë, në mënyrë që të minimizohen dëmtimet e secilës kategori të afektuar.

Në këtë kontekst kemi kontaktuar dhe po vazhdojmë të kontaktojmë secilin institucion financiar multilateral e bilateral në kërkim të opsioneve më të përshtatshme për sigurim të mjeteve të mjaftueshme financiare për të adresuar nevojat e qytetarëve dhe të biznesit.

Natyrisht se për secilën iniciativë dhe për secilin vendim do ju mbajmë të informuar në kohë reale.

Besnik Bislimi

Ministër

Ministria e Financave dhe Transfereve

SHPËRNDAJE