Kosnett i thotë dy fjalë për rastin e Blert Morinës

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett është shprehur i lumtur me gjyqsorin në Kosovë që i ka mundësuar Blert Morinës ta ndërrojë gjinin dhe emrin në dokumentet e identifikimit.

Kosnett ka shkruar në Twitter se ky është një hap i rëndësishëm për të drejtat e komunitetit LGBTI në Kosovë.

“I kënaqur të shoh një aktivist transgjinor Blert Morina që aplikonte për ndryshimin e dokumenteve të identitetit të përcaktimit gjinor mori mbështetje të urdhëruar nga gjykata një hap i rëndësishëm për të drejtat e LGBT në #Kosovë”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Rasti i Blert Morinës mori vëmendje të madhe nga publiku si rasti i parë publik i një personi transgjinor që kërkon nga shteti i Kosovës t’i njihet ligjërisht identiteti i tij gjinor.

Disa ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dhënë të drejtë Blert Morinës dhe e ka detyruar Agjencinë e Regjistrimit Civil t’ia ndërrojë atij shënuesin e gjinisë dhe emrin në dokumentet e identifikimit

“Më 11 dhjetor 2019 është bërë i plotfuqishëm Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me të cilin iu dha të drejtë Blert Morinës ta ndërrojë shënuesin e gjinisë dhe emrin në dokumente të identifikimit në përputhje me identitetin e tij gjinor.

Morina kishte kërkuar nga Zyra e Gjendjes Civile në Gjakovë në prill 2018, që t’i ndërrohet emri nga Blerta në «Blert» dhe shënuesi i gjinisë nga gjinia femërore, në shënuesin e gjinisë mashkullore «M».

Pas përgjigjes refuzuese të Zyrës së Gjendjes Civile dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), Morina bëri padi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë duke kërkuar që t’i njihet ligjërisht identiteti i tij gjinor”, ishte bërë e ditur./gazetametro.net

SHPËRNDAJE