Kosova humbë miliona euro nga heqja e akcizës për duhanin

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Prodhuesve, Importuesve dhe Distributorëve të Duhanit kanë reaguar lidhur me vendimin e qeverisë që favorizon biznesin e duhanit të këshilltarit të Ramush Haradinajt, Gazmend Abrashi.

Këtë reagimin oda i ka drejtuar anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa pasi që një prej pikave të diskutimit në agjendë, është pritur të jetë dhe rishikimi i kërksës së Qeverisë së Kosovës për amandamentimin e normës së taksës së akcizës.

Oda Ekonomike është deklaruar se ky vendim i qeverisë është kundër parimeve të tregtisë së lirë dhe përmirësimit të klimës së biznesit për investimet e huaja në Kosovë.

“Ne vazhdojmë të besojmë fuqishëm se miratimi i amendamentit është në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës dhe marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara: 1. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, 2. Marrëveshja e Tregtisë se Lirë – Cefta, 3. Legjislacioni i BE – së dhe praktikat e vendeve fqinje”, thuhet në reagimin e odës.

Oda dhe Shoqata e Prodhuesve të Duhanit e kundërshtojnë fuqimisht favorizimin e biznesit të këshilltarit të kryeministrit.

“Ne e kundërshtojmë fuqimisht aplikimin e masave diskriminuese të taksave të akcizave, të cilat krijojnë konkurencë të padrejtë përmes sistemit tatimor”, thuhet në reagim.

Sipas këtij vendimi, në vend të akcizës, e cila për cigaret paguhet në shumë prej 45 EUR/KG, ndërsa për duhanin 35 EUR/kg, parashihet që të aplikohet një taksë prej 30%.

Vetëm vitin e kaluar Kosova ka importuar afërsisht 2,770 tonelata cigare, që i bie se të hyrat vetëm nga akciza e cigareve ishin rreth 125 milionë euro. Po të aplikohej taksa prej 30% në vend të akcizës, të hyrat për buxhetin do të ishin vetëm 20 milionë euro.

SHPËRNDAJE