Kosova lëshon urdhër-arrest ndërkombëtar për Radojçiqin, ja ku dyshihet se fshehet

Një vit e gjysmë pas vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviq, Gjykata ka lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq, i cili dyshohet të ketë gisht në vrasjen e politikanit serb.

Radojçiqi, gjithashtu, dyshohet për krim të organizuar dhe vepra të tjera të rënda, raporton KTV.

Pas bastisjeve dhe refuzimit të ftesës për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale në Kosovë, prokurori i cili po heton vrasjen e Ivanoviqit thotë se është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për Radojçiqin, i cili dyshohet se po fshihet në Serbi.

Një person tjetër i afërt me Radojçiqin, gjithashtu, po kërkohet nga Prokuroria Speciale.

Pas dosjeve të pranuara nga EULEX-i, së fundi Prokuroria Speciale ka zgjeruar hetimet edhe për Zvonko Veselinoviqin, i cili shumë herë ishte parë i shoqëruar nga nënkryetari i Listës Serbe.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata gjithashtu ka lëshuar një urdhër-arrest edhe ndaj tij.

Veselinoviqi, i cili vitin e kaluar ishte parë në veri, dyshohet për krim të organizuar, rrezikim të personelit të Kombeve të Bashkuara, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe për vrasjen e Ivica Rajicic në vitin 2014.

Që të dy serbët e shumë-kërkuar muajin e kaluar ishin paraqitur së bashku në një festë të tabloidit anti-shqiptar, ‘Informer’ nga Beogradi.

Hoxha më tutje ka thënë se kjo është mundësia e fundit të Prokurorisë që të sigurojë praninë e dy serbëve të dyshuar, të cilët për vite me radhë dyshohet se ishin marrë me krim të organizuar në veri të vendit.

Muaj më parë ishte Milan Radojçiqi, i cili e kishte ftuar prokurorin Sylë Hoxha që të shkonte ta intervistonte atë në Beograd, porse Prokuroria kishte refuzuar ta bënte një gjë të tillë.