Kosova më keq se sa në kohën kur ishte krahinë autonome, ja kush e thotë

Sot ishte paraparë të bëhej dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serb në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Por është pikërisht Presidenca e Kosovës që ka bërë të ditur se dekretimi i tyre nuk është bërë për arsye se ata nuk kanë ardhur .

“Sot, dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, nuk ndodhi për shkakun që kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë, nuk erdhën për dekretim. Ata nuk erdhën ngaqë u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës”, thuhej ndër të tjerash në njoftimin e Presidencës.

Avokati dhe Njohësi i Çështjeve Juridike, Tomë Gashi në një prononcim për Indeksonline ka bërë të ditur se janë pikërisht këshillat e obligueshme që ata marrin nga pushteti i Serbisë që vendosë rreth dekretimit apo mosdekretimit të tyre.

“Krejtësisht varet nga instruksionet/këshillat e obligueshme që ata marrin nga pushteti i Serbisë. Por kjo nuk ka ndonjë vlerë të madhe edhe nëse do të ishin betuar sot, me rëndësi është që ata të pranojnë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, këtë serbët nuk e bëjnë kurrë me zemër, edhe nëse formalisht e bëjnë këtë, ata nuk do të gjykojnë në emër të shtetit të Kosovës, por do të vjelin të mirat nga Kosova dhe do t’i kryejnë detyrat e Serbisë. Serbët nuk janë si shqiptarët, ata nuk lëshuan pe asnjëherë pos kur u bombarduan nga NATO, edhe po ishte Kosova shtet normal dhe sovran, nuk do të bëheshin marrëveshjet me Serbinë për gjykatës së Republikës së Kosovës, sepse kjo nuk është aspak normale dhe askund në botë nuk është bërë një përulje para ish-okupatorit siç bëjmë ne”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit nuk ka asnjë shtet që lidhë marrëveshje për të dëmtuar sovranitetin gjyqësor, e që është aparat i cili një vend e bënë shtet sovran.

“Në këtë sferë jemi më keq se kur Kosova ka qenë krahinë autonome, sepse me Kushtetutën e Kosovës së vitit 1974, askush nuk ka pyetur serbin se kush bëhet gjykatës në Kosovë. Sot, Serbia bën gjykatësit, prokurorët, pra se a ka sovranitet juridik gjyqësor në tërë territorin, më mirë pyesni popullin, ai e din”, ka përfunduar Gashi .

Duhet përkujtuar që dekretimi i 42 gjyqtarëve dhe 14 prokurorëve serb ishte pjesë e marrëveshjes së Brukselit e arritur në vitin 2015.

SHPËRNDAJE