Kosova u vizitua nga njerëzit e Trumpit e Merkelit, por ҫfarë do të ndodh tani?

Së fundmi Kosova është vizituar nga njerëzit e Trumpit, Merklelit dhe zyrtarë të Britanisë së Madhe.

Temat kryesore diheshin: Dialogu dhe taksa, dhe serish produkti final nga dialogu mes dy shteteve. Nuk dihej vetëm sa do t’i ngushtonin liderët institucionalë dhe a do të dilte kryeministri Ramush Haradinaj të thoshte se po e hiqte taksën.

Këshilltari i Kryeministrit, Erolld Belegu, thotë se në fakt ndërkombëtarët e kuptuan Haradinajn pse nuk po e heq taksën ndaj produkteve serbe.

“Ata më në fund e kanë kuptu situatën reale se si është në Kosovë. Spektri politik është i unifikuar sa i përket mosndërrimit të territoreve dhe mbrojtjes së kushtetutshmërisë së Kosovës. Po ashtu e kanë kuptu po besoj se taksa nuk është vendosur kundër aleatëve tonë, por për t’i mbrojtur interesat e Kosovës”, ka thënë Belegu.

Krerët shtetërorë që së fundmi kanë raporte të acaruara me njëri-tjetrin, vetëm amerikanët arritën t’i bëjnë bashkë në një vend, mëngjesin e së shtunës. Sidoqoftë, përplasjet nuk u ndalen as pas takimit në ambasadë me nënsekretarin amerikan David Hale.

Haradinaj përveçse ka pasur për detyrë të bind ndërkombëtaret për qëndrimet e tij rreth taksës ndaj produkteve serbe, shefi i ekzekutivit kishte për detyrë të mbrohej nga Presidenti e Kryeparlamentarit, të cilët kërkojnë të hiqet taksa.

Në ditën e takimit me Hale, kryeministri Haradinaj është përplasur me Presidentin Hashim Thaçi dhe me kryeparlamentarin Kadri Veseli. Diçka të tillë konfirmoi më vonë vetë Kryeministri, të cilat preferoi t’i quante “diskutime”.

Ndërsa, këshilltari i Haradinajt thotë se beson që edhe përkundër se liderët e tjerë politikë po shprehen kundër taksës, të njëjtit besojnë si Kryeministri vetëm se po i druhen pasojave në raport me ndërkombëtarët.

“Unë mendoj se askush, sidomos prej spektrit politik nuk është pro heqjes së taksës. Të gjitha ato subjektet që dalin kundër taksës, këtë e bëjnë për shkak të frikës për prishjen e raporteve me ndërkombëtarëve”, ka thënë Belegu.

Të hënë në Prishtinë qëndruan dy këshilltarë të kancelares gjermane Angela Merkel. Gjermanët pas takimit që patën me kryeministrin, u shprehen kundër ndonjë marrëveshjeje me Serbinë që shkakton ndarjen e Kosovës ose shkëmbimin e territoreve.

Haradinaj mund të jetë kënaqur kur të ketë dëgjuar këshilltarët e Merkelit qëndrimin e prerë të Gjermanisë kundër ndarjes, megjithatë deklarata e dy zyrtarëve për taksën nuk ishte e ritmit të njëjtë.

Ata kërkuan që taksa të hiqet sa më shpejtë dhe të vazhdohet dialogu me Serbinë.

Mirëpo këshilltari i Kryeministrit thotë se ndërkombëtarët në Prishtinë e kanë kuptuar se kosovarët nuk duan të heqin taksën.

“Z. Haradinaj qëndron stoik në këtë vendim dhe këtë e kanë kuptuar edhe ndërkombëtaret. Dhe, më e rëndësishmja, e janë kuptuar se 90 për qind e Kosovës nuk dëshiron ta heqin taksën.

Dhe krejt në fund, Kosovën e vizitoi Richard Moore, Drejtori i Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrin e Punëve të Jashtme në Britani, i cili sot gjendet në Beograd.

Ai shprehi qëndrimet e definuara të Britanisë së Madhe: Kundër taksës ndaj produkteve serbe dhe kundër idesë së presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve.

SHPËRNDAJE