Krasniqi akuzon Llukën për spastrime në Trepçë, por harron se Tmava para emërimit ishte kryetar i degës së PDK-së

Ish ministri i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka akuzuar sot ministrin e MZHE-së, Valdrin Llukën, se po bën spastrime politike në Trepçë, duke përmendur rastin e ish menaxherit Ahmet Tmava. Por Memi Krasniqi, ka ‘harruar’ të përmend faktin se Tmava para emërimit si menaxher i Trepçës ishte kryetar i degës së PDK-së në Mitrovicë dhe kryesues i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Madje, Kuvendi i Kosovës me insistimin e deputetëve të PDK-së e kishte ndryshuar ligjin për Ndërmarrje Publike në mënyrë që t’i mundësohet Tmavës udhëheqja e Trepçës, për shkak se ishte e ndaluar udhëheqja e një ndërmarrje/kompanie nga një ish anëtar Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, nëse gjatë kohës sa e ushtronte detyrën e kishte licencuar atë ndërmartje/kompani, shkruan Veriu.info.

Deputeti i PDK’së, Memli Krasniqi e ka akuzuar ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka për ‘spastrime politike’, sa i përket shkarkimit të drejtorit të Trepçës, Ahmet Tmava.

Krasniqi ka thënë se Lluka ka shkarkuar drejtorin e Trepçës në jug, por nuk ka asnjë informatë nëse e ka bërë një gjë të tillë edhe me drejtorin në veri.

Krasniqi i ka thënë Llukës se ‘pse nuk e ka shkarkuar edhe drejtorin në veri’, pasiqë edhe atij i ka skadu mandati.

“Nëse kjo ka ndodhë për Ahmety Tmavën, çka keni bërë për drejorin në veri. Me sa e di edhe atij i ka kalu mandati.

Pse drejtorin në veri nuk e keni zëvendësu ose nuk e keni marrë të mirëqenë funksionimin e akteve normative të brendshme.

Mendoj se duhet të kemi kujdes të mos rrëshqasim në spastrime politike dhe mos ti japim një konotacion politik zgjidhjes së Trepçës”, ka thënë Krasniqi.

Ministri Lluka i është përgjigjur duke thënë se nuk e di a është ende duke dalur në punë por se ‘nuk do të duhej të dilte sipas rregullave’.

“Procedurat i kemi fillu në kohën më të shpejtë që ka qenë e mundut, është e vërtetë që janë stërzgjatur.  Pres që të ketë vendime me të shpejta për Bordin.  Në veri është i njëjti. Normalisht nuk guxon me dalë në punë”, ka thënë Lluka,shkruan Periskopi.

Ndryshe, ministri Lluka ka arsyetuar vonesat në krijimin e Bordit të Trepçës duke thënë se po punojnë në këtë drejtim.

“Për t’i përshpejtuar procedurat kemi themeluar një ekip prej ekspertëve dhe pastaj Bordi rishikon dhe jep komente e vlerësime dhe pastaj mund ta kalojë për ta regjistruar Trepcën si shoqëri aksionare.

Bordin presim ta kemi funksional pasi ka pasur lëvizje së fundmi. Në fillim të prillit presim të kemi një Bord aktiv të Trepçës. Trepca ka pasur një qarkullim vjetor 14.6 milionë euro në vit por problem ka qenë që ka pasë një rënië të prodhimit.

Janë zvogëluar humbjet me kohë, në vazhhdimësi kemi subvencionuar me mbi 2 milionë euro në vit”, ka thënë Lluka, shkruan Periskopi.

Ndërkohë Memli Krasniqi ia ka cituar një filozof, duke thënë se ‘nëse për gjashtë muaj nuk kryhen punët, atëherë kryerja e tyre hyn në një fazë të status quos’.

“Është një mendimtar që e kam lexu, Fridmanin, tirania e status quos, kur njerëzit e marrin detyrën nëse për 6 muaj nuk mrrinë me i drejtu punët dhe me i shti në funksion atëherë të rrokë tirania e status quos.

Kjo ke ni parafrazim. Ju thatë kanë kalu vetëm 6 muaj por 6 muaj janë shumë dhe nëse pas kësaj kohe nuk ka asnjë hap konkret funksional për Trepcën atëherë frika jem është që edhe 6 muaj nuk do të arrijmë ta fusim në binary Trepcën.

6 muaj kanë qenë mjaft për ta funksionalizuar Trepcën.Për mu një prej pyetjeve të para është pse disa muaj pas përfundimit të konkursit të hapur publik për Bordin e Trepcës është pezulluar ky process. Asnjë hap nuk keni lëvizë ju ministria”, ka thënë Krasniqi.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE