Kryeministri slloven rrezikon të shkarkohet, ja çfarë bëri me një sirian

Mbështetja që i ofroi një refugjati sirian, mund t’i kushtojë postin kryeministrit të Sllovenisë, Miro Cerar. Ai po përballet me mundësinë e ndjekjes penale, dhe nëse partia e djathtë e opozitës do të jetë e suksesshme në mocionin e saj, mund të shkarkohet nga detyra.

Rasti i Ahmad Shamieh, një 60-vjeçar që mbërriti në Slloveni në vitin 2015, ku mësoi gjuhën dhe u bë shembull i integrimit të suksesshëm të emigrantëve, po përçan politikën sllovene. Ai u bë objekt debati pas refuzimit të kërkesës për azil nga gjykatat vendase, shkruan “tch”, të cilat urdhëruan depërtimin drejt Kroacisë, ku kishte bërë ndalesën e parë në BE.

Dy deputetë me emër, Jan Škoberne, nga partia e majtë në koalicionin qeveritar SD, dhe Mihe Kordiš, nga opozitarja Levica, e çuan refugjatin sirian në parlament për të penguar policinë ta marrte atë.

I pyetur në një konferencë për shtyp, lidhur me qëndrimin e tij mbi çështjen, Cerar, kryeministër që prej 2014-ës, sugjeroi se edhe ai donte t’i garantonte 60-vjeçarit qëndrimin. Përgjigja e tij nxiti pretendimet e së djathtës se kryeministri po përpiqej të ndërhynte në çështjet e drejtësisë së pavarur. Partia Demokratike e Sllovenisë, e drejtuar nga Janez Janša, njoftoi se do të kërkonte ndjekjen penale të Cerar. Jansa e akuzon kryeministrin se është anti-slloven dhe se favorizon të huajt.