Kryeshefi i Telekomit shpjegon fotografinë ku u pa me presidentin Thaçi

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi ka reaguar pas qarkullimit të një fotografie ku ai shihej në një ceremoni ku ishin të pranishëm edhe anëtarë të PDK-së.

Istrefi ka thënë se fotografia është montuar dhe keqinterpretuar për ta njollosur atë.

“Dëshmorët nuk kanë rënë për parti politike Individë të caktuar apo grupe të ndryshme për qëllime dhe interesa të ulëta, po tentojnë me foto të montuara dhe të keqinterpretuara, për të njëllosur emrin tim personal dhe të familjes sime duke më etiketuar si drejtor i afërt me një parti politike.

E kam thënë disa herë publikisht dhe po e përsëris edhe sot se nuk jam zgjedhur në krye të Telekomit të Kosovës, si Kryeshef Ekzekutiv i saj, nga asnjë parti politike dhe nuk i takoj asnjë subjekti politik”, ka thënë Istrefi.

Ai ka sqaruar se fotografia është bërë vitin e kaluar në akademinë përkujtimore për vëllaun e tij dëshmor.

“Në një foto të publikuar në rrjete sociale është bërë përpjekje për të politizuar emrin tim, mirëpo e vërteta është krejtësisht ndryshe. Më 26 prill të vitit të kaluar nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Vesesi ishte organizuar një akademi përkujtimore për të kujtuar dhe nderuar dëshmorët e Epopesë se Melenicës.

Në këta Akademi, presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi në mesin e shumë dëshmorëve të tjerë të lirisë, dekoroi edhe vëllaun tonë dëshmor, Shemsiun, me Urdhërin “Heroi i Kosovës”, për trimëri dhe sakrificë për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Istrefi.

“Kjo fushatë e ulët dhe denigruese që një pjesëmarrje timen në një Akademie të tillë, mundohen ta dezinformojnë dhe shpifin opinonin publik duke politizuar emrin tim, është jashtëzakonisht e turpshme dhe joetike”, ka shtuar ai.

SHPËRNDAJE