Kryetari Bahtiri i jep mbështetje zhvillimit të bujqësisë në Komunën e Mitrovicës

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri është duke treguar përkushtim dhe vendosmëri të jashtëzakonshme për të përmbushur premtimet e bëra për t’i dhënë prioritet zhvillimit të sektorit të bujqësisë dhe mbështetjes së fermave të Komunës, thuhet në një njoftimntë komunës së Mitrovicës.

“Pas subvencionimit të vazhdueshëm të fermerëve dhe mbështetjes së tyre për projekte të shumta e të ndryshme gjatë këtij viti, ai të premten ju ka dhënë mbështetjen më të fuqishme atyre dhe të gjitha fushave të sektorit të bujqësisë në përgjithësi. Kjo mbështetje ka të bëjë me kreditimin në kushte tepër të volitshme të fermerëve për realizimin e projekteve të ndryshme.

Duke e pas bujqësinë prioritet në këtë mandat të qeverisjes së tij, që është i dyti me radhë, kryetari Bahtiri ka nënshkruar një marrëveshje me përfaqësuesin e BPB-së, Artan Sadiku, zëvendës kryeshef ekzekutiv, për kreditimin e fermerëve të Komunës së Mitrovicës, për të cilët Komuna do të paguaj interesat e kredive (kamatën) që fermerët do i marrin nga BPB-ja. Me marrëveshjen e nënshkruar fermerët nuk do të paguajnë asnjë cent për shërbimet administrative.

Komuna dhe BPB-ja me këtë marrëveshje mjanë pajtuar që shuma minimale për kreditë e dhëna të jetë 5.000 euro, ndërsa ajo maksimale 10.000 euro, kurse në raste të veçanta, kur fermeri ka projekt të madh e të rëndësishëm, shuma mund të arrij deri në 50.000 euro. Me rastin e dhënies së kredive për fermerët, BPB do të merr parasysh vlerësimin e Komisionit Komunal për caktimin dhe zgjedhjen e fermerëve të cilët financohen sipas kësaj Marrëveshje.

Kohëzgjatja për kthimin e kredisë,është tre deri në katër vjet. Shuma e përgjithshme e kredisë që do të jep BPB-ja arrin minimumi në një milion euro, ndërsa që Komuna do të paguaj obligime për kamata, të cilat do të jenë të volitshme, rreth 80.000 euro.

“Komuna e Mitrovicës tashmë po tregon çartë se zhvillimin e bujqësisë e ka prioritet. Këtë e kemi treguar vazhdimisht gjatë këtij viti, kur fermerët i kemi subvencionuar disa herë në forma të ndryshme. Me këtë marrëveshje që sot e nënshkruam me BPB-në, përkatësisht me kreditimin në kushte të volitshme të fermerëve, sektorit të bujqësisë dhe fermerëve të Komunës po ju japim një mbështetje të fuqishme, e cila jam i bindur se do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në realizimin e projekteve të shumta të fermerëve në të gjitha fushat”, ka thënë ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Zëvendës Kryeshefi Ekzekutiv i BPB-së, Artan Sadiku, tha se institucioni i tij po e mbështet zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë, duke pas parasysh rëndësinë që ka për vendin ky sektor. Ai foli për praktikën e deritashme të dhënies së kredive të këtilla, duke theksuar se fermerët në të gjitha rastet i kanë përmbushur obligimet e tyre ndaj bankës, andaj shpreson se kështu do të ndodhë edhe me fermerët e Komunës së Mitrovicës”, përfundon njoftimi i komunës.

SHPËRNDAJE