Kryetari Bahtiri takohet me shefin e ri të EULEX-it z. Lars- Gunnar Wigemark

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka pritur në një takim shefin e ri të EULEX-it, z. Lars- Gunnar Wigemark, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale dhe gjendjen e sigurisë në qytetin e Mitrovicës.

Kryetari Bahtiri pasi vlerësoi lartë bashkëpunimin e komunës me zyrtarët e EULEX-it, e njoftoi shefin e EULEX-it z. Gunnar Wigemark mbi gjendjen aktuale politike e të sigurisë në Mitrovicë, për të cilën tha se është e qetë dhe pa probleme.

“Së pari ju uroj punë të mbarë në postin tuaj të ri, duke ju njoftuar se ne kemi pasur çdo herë bashkëpunim të shkëlqyeshëm me pjesëtarët e EULEX-it, andaj shpresoj që raporte akoma më të mira do të kem edhe me ju, duke marrë parasysh që misioni juaj është shumë i rëndësishëm për shtetin tonë.

Në komunën tonë janë bërë hapa të mëdhenj në stabilizimin e plotë të gjendjes së përgjithshme. Për këtë gjë u jam mirënjohës prezencës së KFOR-it, Policisë së Kosovës, Ambasadave, dhe të gjithë ata që kontribuuan në ruajtjen e paqes për qytetin tonë”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Ndërkaq shefi i EULEX-it, z. Gunnar Wigemark falënderoi për mirëpritjen dhe u shpreh të jetë i kënaqur me të arriturat e qytetit dhe punën e kryetarit Bahtiri, duke shtuar se bashkëpunimi i mirë i deritanishëm ndërmjet Komunës dhe EULEX-it vetëm sa do të intensifikohet dhe të pasurohet edhe më shumë, me qëllimin e vetëm të realizimit të kërkesave të qytetarëve për të jetuar në paqe dhe siguri të plotë.

Në fund kryetari Bahtiri së bashku me shefin e EULEX-it, z. Gunnar Wigemark u pajtuan të mbesin vazhdimisht në kontakt dhe të jetë i informuar lidhur me të gjitha ngjarjet në Komunën e Mitrovicës, në mënyrë që bashkërisht të kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë së qytetit.

SHPËRNDAJE