Kryetari i Vushtrrisë do ndryshimin e ligjit për duhan, por Ministria këtë s’e ka në agjendë

Ka pothuajse pesë vjet që është në fuqi ligji për kontrollin e duhanit, në bazë të të cilit ndalohet prija e tij në vende të mbyllura publike.

Por, kjo ndalesë nuk është përfillur nga shumë biznese. Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, thotë se ligjvënësit nuk e kanë menduar mirë qëllimin ekonomik të ligjit.

Ai, duke marrë shembull ligjin për kontrollin e duhanit në Austri, thotë se do të propozojë në Asociacionin e Komunave të Kosovës, që bashkë me kryetarët e tjerë, të diskutojnë rreth ndryshimeve të nevojshme në këtë ligj.(Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje ⤵)

Idenë e Tahirit për ndryshimet në këtë ligj e përkrah edhe Shoqata e Gastronomëve.

Përfaqësues të kësaj shoqate thonë se ndryshimet janë të nevojshme, sepse sipas tyre, ligji aktual nuk është duke funksionuar.

Ata thonë të kenë kërkuar tatim shtesë për lokalet, në të cilat do të lejohej pirja e duhanit.

Por, në Ministrinë e Shëndetësisë deklarojnë se ndryshimi i ligjit aktualisht nuk është në agjendë të Ministrisë.

Sipas Faik Hotit, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, sfidë gjatë këtyre viteve në zbatimin e këtij ligji ka qenë numri i vogël i inspektorëve nëpër Komuna.