Kur do të mbahet raundi i ri i negociatave në Bruksel?

Raundi i ri i dialogut të Brukselit midis presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe atij të Kosovës Hashim Thaçi, nuk do të mbahet para takimit në Francë me rastin e Ditës së Armëpushimit të Parë në Luftën e Parë Botërore, ku udhëheqësit botërorë do të mblidhen me ftesë të presidentit francez Emanuel Macron

Sipas burimeve diplomatike të gazetës serbe Danas, “nuk ka kohë për një takim të ri në Bruksel javën e ardhshme” dhe pyetja është nëse Vuçiq dhe Thaçi do të takohen në selinë e BE-së këtë muaj, nën kujdesin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Federica Mogherini.

Sipas Danas, presidenti i Serbisë, Vuçiq, nuk përjashtoi mundësinë e bisedimeve me Thaçin në periferi të kryeqytetit të Francës, si dhe diplomatët për Danasin thonë se “Kosova nuk do të jetë temë kryesore në takim, por që ajo me siguri do të diskutohet “, përcjell lajmi.net.

Po ashtu Danas shkruan se nga qarqet diplomatike jozytarisht thuhet se administrata amerikane dhe BE duan të vazhdojnë negociatat për Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi një “pushim” i institucionevet të Brukselit do të zhvillohet nga mesi i dhjetorit deri në fillim të janarit.

Sipas RTS dje, kancelarja gjermane Angela Merkel përsëriti se “ajo është shumë e shqetësuar rreth debatit për ndryshimin e kufijve”, duke theksuar se ajo përkrah normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Në një letër dërguar ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, i cili në fund të shtatorit paraqiti shqetësimet e tij, pas nisjes së debatit për ndryshimin e kufijve, Merkel theksoi gjithashtu se “është shumë e rëndësishme që Kosova të vazhdojë dialogun e saj me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së “.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq shprehu mirënjohjen e tij, një grupi të kongresmenëve amerikanë që kërkuan që Shtetet e Bashkuara të mbështesin Serbinë në kërkimin e një zgjidhjeje kompromisi për Kosovën, por theksoi se është shumë më e rëndësishme ajo që do të thotë presidenti Donald Tramp dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt.

SHPËRNDAJE