Kur e përqafova në aeroport nuk më pëlqeu fare!

Eh, Redaksi e “Kosovares”, u lexoj përherë, por vetëm këtë herë mora guximin t’u shkruaj. Jetës asnjëherë nuk i dihet dhe unë nuk e mendoja se do isha këtu ku jam. Por, ja që më ndodhi.

Më erdhi një ftesë në “Facebook”. E vërejta se e njihja nga mbiemri. E njihja disi, por jo edhe aq sa duhet. Sidoqoftë, e pranova. Pas disa ditësh kontrollova profilin e tij. E pyeta nënën se a e njihte filanin… “Po”, më tha, është nipi i burrit të tezës dhe jeni rritur bashkë. A nuk e mban mend, a?”, më tha ajo. Mendova me vete: s’qenka gjë puna e tij, kot që e kam në FB.

Mbas disa ditësh ai më shkruan: “Përshëndetje V.”. I ktheva përgjigje dhe kaq… Kështu, vazhduam disa kohë me shkëmbimin e fjalëve: ç’kemi e si je, a po punon, mundoheshim ta kujtonim kohën e fëmijërisë… Dhe, dashur e pa dashur nuk harruam kurrë t’i thoshim njëri-tjetrit “mirë mëngjes” e “natën e mirë”. Thënë shkurt e shqip: po pëlqeheshim më shumë se çdo kush. Ai jetonte në Amerikë dhe më thoshte se për Vitin e Ri do vinte te tezja ime, kurse unë mezi prisja dhe nuk di se ç’më kishte gjetur ashtu… Atë ditë që prita dhe e takova në aeroportin e Prishtinës ka qenë dita më me emocione në jetën time… Kur e përqafova më rodhan lotët… Por, për çudi, nuk më pëlqeu fare, ani pse kishim komunikuar nëpërmjet internetit edhe me video. Nuk ishte siç e ëndërroja…

Dolëm nga aeroporti dhe hymë në veturën time. U nisëm në drejtim të Sllatinës. Në restorantin “Aviano” në Sllatinë pimë kafenë e parë bashkë… Pastaj, vazhduam rrugën për në Prizren.

Dolëm për 10 ditë rresht dhe menduam t’i bënim pak gjërat më serioze, meqë ishim edhe miq. Për të mos u zgjatur me detaje, i tregova babait për të… “Ç’më bëre ashtu?!”, ma ktheu dhe vazhdoi: “Më turpërove se me miq nuk bëhet dashuria!”. Dhe, nga ai moment, për çudi, fillova ta dua edhe më shumë… E, pas shumë kundërshtimesh si nga familja ime dhe e atij, ne u fejuam, u martuam… Nuk bëmë dasmë për arsye se ma dhanë vizën për në SHBA dhe bashkë me të shkova në Amerikë. Janë bërë dy vjet e disa muaj që jemi bashkë, por nuk po mund ta dua siç e doja në kohën kur komunikonim nëpërmjet internetit…V. G.“Kosovarja”

SHPËRNDAJE